Agjencia për mbikëqyrje të
financimit kapital të sigurimit pensional

Fillon Java Globale e Parasë 2023: “Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen!”

Rregullatorët financiarë, në bashkëpunim me asociacionet dhe institucionet nga sektori privat dhe civil që janë aktivë në fushën e edukimit financiar, po shënojnë për të njëmbëdhjetin vit radhazi Javën Globale të Parasë, e cila këtë vit do të mbahet nga 20 deri më 26 mars 2023.

Tema e këtij viti “Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen” (Plan your money, plant your future) fokusohet në qëndrueshmërinë dhe ndërgjegjësimin nga implikimet e sjelljes financiare individuale jo vetëm në të ardhmen financiare, por edhe në mjedisin jetësor dhe shoqërinë. Pjesëmarrësit e Javës Globale të Parasë mund të marrin pjesë në aktivitetet mbi këtë temë që do të theksojnë rëndësinë e vendimeve financiare për qëndrueshmërinë sociale, ekonomike dhe financiare. Kjo temë i inkurajon të rinjtë që të kenë këndvështrim afatgjatë të vendimeve të tyre financiare dhe të marrin parasysh ndikimin në mjedisin jetësor dhe shoqërinë.

Aktivitetet gjatë Javës Globale të Parasë këtë vit do të zhvillohen kryesisht përmes e-ligjëratave, ligjëratave me prani fizike dhe publikimeve të materialeve edukative në faqet e internetit të institucioneve dhe rrjeteve sociale. Ligjëratat do t’u dedikohen nxënësve të shkollave fillore dhe shkollave të mesme në vendin tonë, si dhe fakulteteve, me temat në fushat që i mbulojnë institucionet e veçanta, lidhur me funksionimin e sistemit financiar.

Agjencia për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional – MAPAS, vazhdon në vazhdimësi me aktivitetet e saj edukative për të rinjtë gjatë Javës Globale të Parasë 2023. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe organizatën joqeveritare Rrjeti Interaktiv për Arsim dhe Resurse – RRIAR, kemi vendosur koordinim me një pjesë të fakulteteve shtetërore dhe private, ku së bashku me shoqëritë pensionale KB Shoqëria e Parë Pensionale SHA Shkup, Shoqëria Pensionale Sava SHA Shkup dhe Shoqëria Pensionale Triglav SHA Shkup, VFP Shoqëria Pensionale SHA Shkup do të mbajmë ligjërata edukative për studentët mbi ndërgjegjësimin e të rinjve për nevojën e edukimit më të madh financiar me qëllim të shpenzimit me përgjegjësi të financave personale, të menaxhimit të drejtë të buxhetit të vet dhe kursimit dhe investimit afatgjatë të shikuar përmes prizmit të përfitimeve dhe mundësive që i ofron sistemi pensional në pjesën e sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar pensional me financim kapital.

Javën Globale të Parasë 2023 e nisim me edukimin dhe debatin e hapur publik me studentët e Fakultetit Ekonomik, Shkup në Universitetin Shën Cirili dhe Metodi. Në nivel botëror, Java Globale e Parasë shënohet nga viti 2012, me ndërprerjen e vetme në vitin 2020 për shkak të pandemisë, të organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Kjo iniciativë globale, e cila deri më tani është shënuar në më shumë se 176 vende të botës, ku përfshihen 53 milion fëmijë dhe të rinj, ndërgjegjëson të rinjtë për edukimin financiar dhe i rrit njohuritë e tyre për paratë, kursimin, punësimin dhe sipërmarrësinë. Çdo vit, të rinjtë bisedojnë, lexojnë dhe mësojnë mbi sistemet ekonomike dhe financiare përmes aktiviteteve të ndryshme që i zbatojnë institucionet financiare dhe arsimore.

 

Më shumë informacione rreth Javës Globale të Parasë në linkun: globalmoneyweek.org

Skip to content