Më 13 dhjetor u mbajt takimi i pestë i punës i Grupit Punues për monitorimin e zbatimit të Strategjisë për Edukim Financiar dhe Përfshirje Financiare, aktiviteti i të cilit koordinohet nga Banka Popullore, ku morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Financave, Komisionit të Letrave me Vlerë, Agjencisë për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional dhe të Agjencisë për Mbikëqyrje të Sigurimeve, si dhe subjekte nga sektori privat dhe ai civil.
Qëllimi i takimit është të mundësojë dialog të rregullt ndërmjet rregullatorëve financiarë, subjekteve nga sektori privat dhe civil i përfshirë në aktivitetet e edukimit financiar, si dhe shkëmbimi i propozimeve dhe përvojave për forcimin e përfshirjes financiare dhe mbrojtjes së konsumatorëve në sistemin financiar, për zbatim të suksesshëm të Strategjisë për Edukim Financiar dhe Përfshirje Financiare.
Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Financave të SHBA-së, znj. Daniell Hopkins, këshilltare për përfshirjen financiare, e cila ndau përvojën e aktiviteteve të kryera në fushën e edukimit financiar, përfshirjes dhe mbrojtjes së konsumatorëve në SHBA. Eksperiencat e transferuara në kuadër të asistencës teknike për Ministrinë e Financave ofrojnë një bazë për perceptimin e mundësive të reja për përmirësimin e edukimit financiar të popullatës në vendin tonë.
Në takim anëtarët e Grupit të Punës u njohën me fazën e dytë të inicuar të Projektit Rajonal për Edukim Financiar të mbështetur nga Rrjeti Ndërkombëtar i Edukimit Financiar INFE – OECD dhe Ministria e Financave e Holandës, i cili do të zhvillohet në periudhën prej vitit 2023 deri në vitin 2027. Objektivat kryesore të fazës së dytë janë të mbështesë zbatimin e strategjive kombëtare, shkëmbimin e përvojave ndërmjet dhjetë vendeve pjesëmarrëse të rajonit dhe aktivitete të mëtejshme kërkimore në këtë fushë.
Anëtarëve të Grupit Punues iu prezantua Plani i aktiviteteve të përbashkëta të Trupit Koordinues për vitin 2024, i cili përveç ngjarjeve dhe aktiviteteve të rregullta përfshin aktivitete që kanë të bëjnë me zbatimin e Strategjisë në fushën e edukimit financiar, përfshirjen financiare dhe mbrojtjen e konsumatorit. Njëkohësisht u theksua se për vitin 2024 është planifikuar bashkëpunimi i intensifikuar me Byronë për Zhvillimin e Arsimit në lidhje me programet arsimore që përfshijnë edukimin financiar në kuadër të sistemit arsimor.
Gjithashtu, iu bë thirrje sektorit privat dhe atij civil për përfshirje aktive në aktivitetet e edukimit financiar dhe përfshirjes, që do të siguronte një mbulim më të gjerë të popullsisë.
Grupi i punës për monitorimin e zbatimit të Strategjisë, i përbërë nga përfaqësues të institucioneve rregullatore, shoqatave të sektorit privat dhe të sektorit civil, mban dy takime në vit, edhe atë rreth mesit dhe në fund të vitit.