Agjencia për mbikëqyrje të
financimit kapital të sigurimit pensional

Misioni ekspert i TAIEX – vlerësimi i qëndrueshmërisë ekonomike të sigurimit pensional me financim kapital

Në kuadër të aktiviteteve të parapara drejt përmbushjes së qëllimit strategjik – përmirësimi i kapaciteteve për forcimin e rolit mbikëqyrës dhe rregullator në sigurimin pensional me financim kapital, Agjencia për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional (MAPAS) realizoi një projekt – mision ekspertësh përmes instrumentit të Bashkimit Evropian (BE) – TAIEX.

Ky projekt paraqet vazhdimësi të misionit paraprak, me të cilin MAPAS-i kishte vendosur kuadrin për menaxhimin e rreziqeve për stabilitet financiar dhe politikë makroprudente. Qëllimi kryesor i këtij misioni ekspertësh ishte zbatimi i një teknike të menaxhimit të rrezikut për të vlerësuar ndikimin potencial të ngjarjeve ose skenarëve të pafavorshëm (tronditje makroekonomike dhe financiare) mbi gjendjen financiare dhe qëndrueshmërinë e sistemit të sigurimit pensional me financim kapital në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Identifikimi i hershëm dhe efikas i rreziqeve sistemike dhe marrja e masave për parandalimin dhe zvogëlimin e ndikimit të tyre mbi sistemin financiar janë kompetenca të reja të MAPAS-it, të cilat burojnë nga Ligji për Stabilitet Financiar dhe Strategjia për zbatimin e politikës makroprudente në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Misioni ekspert u realizua në periudhën 27–31 tetor 2025, nga ekspertët Ivana Herczeg, Udhëheqëse e Sektorit për Rreziqe Sistemike dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve, dhe Mario Bambulović, Udhëheqës i Njësisë për Rreziqe Sistemike në Agjencinë Kroate për Mbikëqyrjen e Shërbimeve Financiare (HANFA). Në këtë mision morën pjesë gjithsej 11 pjesëmarrës, punonjës të MAPAS-it.

Gjatë misionit, pjesëmarrësit u njohën me konceptet bazë dhe qëllimet e testimit të qëndrueshmërisë brenda kuadrit të BE-së dhe Bordit Evropian për Rreziqe Sistemike (ESRB), si dhe me metodologjinë dhe përdorimin e analizës së ndjeshmërisë dhe analizës së skenarëve.
U trajtuan në detaje qëllimet dhe qasjet e testimit të stresit të fondeve pensionale, identifikimi i tronditjeve makroekonomike dhe financiare, si dhe menaxhimi dhe aktivitetet mbikëqyrëse të MAPAS-it në kontekstin e stabilitetit financiar.
Gjithashtu u prezantua përdorimi i modeleve deterministike dhe stokastike, përfshirë studime praktike rasti, simulime të tronditjeve të tregut, analiza të rezultateve dhe integrimi i tyre në proceset mbikëqyrëse.

Ky mision ekspertësh kontribuoi në forcimin e kapaciteteve të MAPAS-it në fushën e menaxhimit të rreziqeve dhe testimit të qëndrueshmërisë së fondeve pensionale, në përputhje me standardet evropiane, duke përfaqësuar një hap të rëndësishëm drejt avancimit të proceseve për monitorimin e qëndrueshmërisë së sigurimit pensional me financim kapital, si dhe në harmonizimin e mëtejshëm me standardet evropiane në fushën e stabilitetit financiar dhe menaxhimit të rreziqeve.



Skip to content