Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) publikoi botimin më të ri Tregjet Pensionale në Fokus 2025.
Botimi Tregjet Pensionale në Fokus 2025 paraqet të dhëna të detajuara dhe të krahasueshme për sistemet pensionale të bazuara në kapital në mbarë botën, deri në vitin 2024. Raporti analizon zhvillimet gjatë vitit 2024, me theks tek faktorët kryesorë që ndikuan në rritjen e aseteve pensionale të akumuluara në fund të vitit. Të dhënat janë siguruar nga rregullatorët kombëtarë në kuadër të projektit të OECD-së për Statistikën Globale të Pensioneve.
Pas rënies së vitit 2022, asetet pensionale u rritën sërish në 2023 dhe e vazhduan trendin pozitiv edhe në 2024, me një rritje mesatare prej 7.1% në vendet anëtare të OECD-së. Në fund të vitit 2024, asetet pensionale arritën nivel rekord: 69.8 trilionë USD në vendet anëtare të OECD-së dhe 2.9 trilionë USD në vendet jo-anëtare.
Rritja e vlerës së aseteve të fondeve pensionale u ndikua kryesisht nga normat pozitive nominale të kthimit. Në shumicën e vendeve, këto norma ishin mbi mesataren afatgjatë vjetore. Norma mesatare nominale e kthimit ishte 9.1% në vendet anëtare të OECD-së dhe 11.7% në vendet jo-anëtare. Rezultatet më të mira investuese i realizuan fondet me pjesëmarrjen më të lartë në aksione, falë performancës së favorshme të tregjeve kapitale. Në krahasim me vitin paraprak, fondet rritën pjesën e tyre të investimeve në aksione, si nga rritja e vlerës së aksioneve, ashtu edhe nga rritja aktive e alokimeve në këtë kategori.
Rritja e aseteve u mbështet gjithashtu edhe nga pagesat e kontribuesve, të cilat vazhduan të rriten gjatë vitit 2024. Në të njëjtën kohë, u rritën edhe shumat e pensioneve të paguara, si rezultat i maturimit gradual të sistemeve pensionale dhe rritjes së numrit të anëtarëve që po realizojnë të drejtën e pensionit.
Normat nominale të kthimit i tejkaluan normat e inflacionit në shumicën e vendeve të analizuara. Kthimet reale në përgjithësi ishin pozitive, megjithëse vendet jo-anëtare të OECD-së u përballën me inflacion më të lartë, duke rezultuar në norma reale më të ulëta në krahasim me vendet anëtare të OECD-së.
Botimi Tregjet Pensionale në Fokus 2025 është i disponueshëm në lidhjen e mëposhtme: Tregjet Pensionale në Fokus 2025.
(02) 3224 229
contact@mapas.mk