
Me rastin e Ditët të Edukimit Financiar, MAPAS-i organizoi një ligjëratë edukative për punonjësit e Komunës së Tetovës, me synim rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e edukimit financiar dhe kuptimin e drejtë të sistemit pensional. Ngjarja u realizua në bashkëpunim me komunën, si pjesë e angazhimeve të përbashkëta për forcimin e edukimit financiar në nivel lokal.
Pjesëmarrësit u njohën me funksionimin e të tre shtyllave të sigurimit pensional me kapital të financuar, mënyrën e llogaritjes së kontributeve, llogaritë individuale dhe mjetet digjitale që mundësojnë qasje transparente në kursimet personale pensionale. Ligjërata u zhvillua në mënyrë praktike dhe të qartë, duke ndihmuar çdo të punësuar të kuptojë më mirë perspektivën e vet financiare afatgjatë.
Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të MAPAS-it, z. Remzi Bajrami, iu drejtua të pranishmëve duke theksuar:
“Më vjen kënaqësi që sot jemi në Tetovë dhe që së bashku me komunën vazhdojmë aktivitetet për përmirësimin e edukimit financiar. Qëllimi ynë është i qartë – t’i afrojmë institucionet te qytetarët dhe të sigurojmë që çdo i punësuar të ketë informata të sakta dhe të qarta për sigurinë e tij pensionale. MAPAS-i, si rregullator, do të vazhdojë të punojë në mënyrë transparente, aktive dhe në partneritet me autoritetet lokale për të përmirësuar edukimin financiar dhe për të rritur besimin në sistemin pensional.“
Ligjërata vazhdoi me diskutim interaktiv, pyetje dhe sqarime shtesë, gjë që kontribuoi në një kuptim më të thelluar të sistemit pensional dhe përfitimeve të tij.
Përmes këtij aktiviteti, MAPAS-i edhe njëherë e theksoi rëndësinë e Ditët të Edukimit Financiar si kujtesë se informatat e sakta dhe të kohës janë bazë për vendime të qëndrueshme dhe të përgjegjshme financiare.


(02) 3224 229
contact@mapas.mk