
Në Qendrën Kulturore Informative – Shkup, u mbajt ngjarja qendrore për shënimin e Ditëve të Edukimit Financiar, ku morën pjesë përfaqësues nga të gjitha palët relevante që vazhdimisht e mbështesin dhe punojnë për zhvillimin e kulturës financiare tek të rinjtë.
Në ngjarje u drejtua kryetari i Këshillit të ekspertëve të MAPAS-it, Remzi Bajrami, i cili theksoi se edukimi financiar është themel për stabilitet dhe pavarësi dhe përfaqëson njohuri kyçe që çdo i ri duhet ta fitojë me kohë.
“Edukimi financiar është shumë më tepër sesa njohja e kursimit apo investimit. Ai është bazë për siguri personale dhe pavarësi. Në MAPAS besojmë fuqimisht se njohja e hershme e të rinjve me konceptet e menaxhimit të zgjuar të financave personale është investimi më i mirë – investim që sjell rezultate afatgjata si për individin ashtu edhe për shoqërinë,” theksoi Bajrami.
Ai shtoi se këtë vit edukimi financiar është pasuruar me qasje kreative.
“Te rinjtë jo vetëm që fituan njohuri të reja, por arritën t’i shndërrojnë ato në shprehje artistike dhe muzikore. Kjo është dëshmi se kultura financiare mund të jetë moderne, frymëzuese dhe e afërt me të rinjtë, nëse ne e prezantojmë në mënyrën e duhur,” theksoi kryetari Bajrami.
Mbështetjen dhe vizionin e saj e transmetoi edhe drejtoresha e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Milka Trimçevska, e cila theksoi se zhvillimi i kompetencave financiare që në moshë të hershme është pjesë e domosdoshme e arsimit modern.
“Edukimi financiar nuk është aftësi e rezervuar vetëm për të rriturit. Nëse nxënësit me kohë njihen me menaxhimin e financave personale dhe me mekanizmat e sistemit pensional, ata do të kenë më shumë kontroll dhe siguri në të ardhmen,” theksoi Trimçevska.
Ajo shtoi se Byroja do të vazhdojë të punojë vazhdimisht në integrimin e edukimit financiar në programet mësimore, në trajnimet për mësimdhënësit dhe në zhvillimin e materialeve bashkëkohore.
“Qëllimi ynë është që çdo fëmijë të largohet nga klasa me njohuri që do t’i shërbejnë gjithë jetën – njohuri që krijojnë zakone, disiplinë dhe përgjegjësi,” shtoi ajo.
Kjo ngjarje, që e shënon fushatën kombëtare për edukimin financiar, e thekson rëndësinë e investimit në njohuri që u mundëson të rinjve të marrin vendime të informuara dhe të përgjegjshme.
Pikërisht me këtë qëllim, MAPAS-i vendosi bashkëpunim me dy shkolla të mesme artistike – Shkolla e Mesme e Artit “Lazar Liçenoski” – Shkup dhe Shkolla e Mesme e Muzikës dhe Baletit “Ilija Nikollovski–Lui” – Shkup.
Si rezultat i sesioneve edukative me nxënësit dhe profesorët, gjashtë nxënës nga shkolla e artit pamor realizuan vepra artistike të frymëzuara nga temat e edukimit financiar, ndërsa pesë nxënës nga shkolla e muzikës krijuan një kompozicion origjinal – një himn të dedikuar kulturës financiare.
Veprat dhe kompozicioni u prezantuan dhe u interpretuan në vetë ngjarjen, duke simbolizuar ndërthurjen e dijes, kreativitetit dhe qasjes bashkëkohore në edukimin e të rinjve.
Të pranishmit patën mundësinë t’i shohin dhe t’i dëgjojnë rezultatet e punës kreative të nxënësve, si dhe të njihen me angazhimet e institucioneve drejt ndërtimit të gjeneratave të vetëdijshme dhe përgjegjëse financiarisht.
Ngjarja edhe një herë vërtetoi se investimi në edukimin financiar është investim që krijon vlerë personale dhe shoqërore, ndërsa të rinjtë e mbajnë atë të ardhme në duart e tyre.
Me këtë, u shënua me sukses përmbyllja e Ditëve të Edukimit Financiar, me mesazhin se dijenia, partneriteti dhe kreativiteti janë shtytësit kyç drejt një të ardhmeje më të mirë dhe më të sigurt.








(02) 3224 229
contact@mapas.mk