Kryetari i Agjencisë për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional– MAPAS, Remzi Bajrami, dhe anëtarja e Këshillit të Ekspertëve, Pranvera Suma, morën pjesë në një takim pune me delegacionin e Agjencisë Kroate për Mbikëqyrjen e Shërbimeve Financiare (HANFA), i cili u mbajt në periudhën 9–12 qershor 2026, në organizim të Agjencisë për Mbikëqyrjen e Sigurimeve (ASO).

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Komisionit për Letra me Vlerë, duke mundësuar shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen e sektorit financiar.
Gjatë sesioneve të punës u trajtuan një sërë temash me interes të përbashkët, ndër të cilat organizimi institucional i autoriteteve rregullatore, qasjet në mbikëqyrjen e bazuar në rrezik, zhvillimi i kapaciteteve institucionale, mbrojtja e shfrytëzuesve të shërbimeve financiare, si dhe sfidat aktuale që lidhen me harmonizimin e kornizave kombëtare rregullatore me standardet evropiane.
Përfaqësuesit e MAPAS-it prezantuan kompetencat dhe aktivitetet e Agjencisë, si dhe përvojat në mbikëqyrjen e fondeve pensionale të detyrueshme dhe vullnetare. Në kuadër të diskutimeve u shkëmbyen përvoja dhe qëndrime lidhur me menaxhimin e fondeve pensionale, mbrojtjen e anëtarëve të fondeve pensionale, menaxhimin e rreziqeve dhe avancimin e mëtejshëm të praktikave mbikëqyrëse.

Takimi i punës paraqet një kontribut të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimin e njohurive ndërmjet rregullatorëve financiarë në rajon, me qëllim zbatimin e praktikave bashkëkohore mbikëqyrëse dhe standardeve ndërkombëtare.
MAPAS mbetet e përkushtuar në zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit me institucionet homologe nga rajoni dhe Evropa, si dhe në avancimin e vazhdueshëm të kapaciteteve mbikëqyrëse në funksion të sigurimit të një sistemi pensional me financim kapital të qëndrueshëm, transparent dhe të sigurt.
(02) 3224 229
contact@mapas.mk