Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional me Financim Kapital – MAPAS, së bashku me Shoqërinë e Parë Pensionale KB SHA Shkup, Shoqërinë Pensionale Sava SHA Shkup dhe Shoqërinë Pensionale Triglav SHA Shkup, shënuan 15 Shtatorin – Ditën e ndërgjegjësimit pensional, me një aktivitet kushtuar edukimit financiar dhe pensional të të rinjve, i cili u mbajt në Shkollën e Mesme Ekonomike-Juridike „Vasil Antevski Dren“ – Shkup.

Dita e ndërgjegjësimit për pensionet i kushtohet ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e kursimit pensional dhe rëndësisë që me kohë të mendohet për të ardhmen financiare. Është veçanërisht e rëndësishme që të rinjtë, që në moshë të hershme, të fitojnë njohuri dhe shprehi të cilat do t’u ndihmojnë në marrjen e vendimeve financiare të informuara dhe të përgjegjshme.
Në kuadër të shënimit të kësaj dite, MAPAS dhe Shkolla e Mesme Ekonomike-Juridike „Vasil Antevski Dren“ nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi, me të cilin vendoset një lidhje edhe më e fortë ndërmjet arsimit dhe praktikës. Bashkëpunimi parasheh mësim praktik, mësim përmes punës, realizimin e praktikës profesionale verore, vizita edukative, si dhe prezantime, ligjërata dhe punëtori në fushën e edukimit financiar, sistemit pensional dhe sigurimit pensional me financim kapital.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, kryetari i Këshillit të Ekspertëve të MAPAS-it, Remzi Bajrami, theksoi se ndërgjegjësimi për pensionet nuk duhet të ndërlidhet vetëm me periudhën para pensionimit, por me mënyrën se si, që nga rinia, planifikohet e ardhmja financiare personale.
Ai theksoi se, në kushtet e ndryshimeve të shpejta shoqërore, ekonomike dhe teknologjike, njohuritë financiare përbëjnë një aftësi të rëndësishme jetësore dhe se të rinjtë duhet të inkurajohen të informohen, të parashtrojnë pyetje dhe të marrin vendime financiare të bazuara në njohuri dhe mirëkuptim.
MAPAS-i mbetet e përkushtuar ndaj avancimit të vazhdueshëm të edukimit financiar dhe pensional dhe krijimit të mundësive që të rinjtë, në kohë, të njihen me sistemin pensional, të drejtat e tyre dhe rëndësinë e planifikimit financiar afatgjatë.
(02) 3224 229
contact@mapas.mk