Mësimi përmes punës filloi në MAPAS
Në MAPAS u mbajt ora e parë me nxënësit e vitit të katërt të SHPEKTH “Vasil Antevski Dren”, të përfshirë në Programin “Mësimi përmes punës te punëdhënësi”.
Nxënësit u përshëndetën nga kryetari i Këshillit të MAPAS-it, Remzi Bajrami, dhe anëtarja e Këshillit, Pranvera Ajazi, të cilët u uruan mbarëvajtje dhe sukses në zhvillimin e mësimit praktik dhe i inkurajuan që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të fituar njohuri, përvoja dhe shkathtësi të reja përmes njohjes së drejtpërdrejtë me punën e institucionit.
Në takimin e parë, mentorja Marija Popovska u uroi mirëseardhje nxënësve dhe falënderoi profesoreshën Emanuela Esmerova për mundësinë që MAPAS të jetë pjesë e kësaj nisme, e cila përbën një mënyrë të rëndësishme për ngushtimin e hendekut ndërmjet procesit arsimor dhe përfshirjes së ardhshme të të rinjve në tregun e punës.
Programi njëkohësisht u ofron nxënësve mundësinë që të njihen drejtpërdrejt me funksionimin e një institucioni financiar dhe të fitojnë njohuri e shkathtësi që do t’u vlejnë, pavarësisht nëse pas përfundimit të arsimit të mesëm do të përfshihen në tregun e punës apo do të vazhdojnë shkollimin.
Gjatë programit, krahas përvetësimit të njohurive financiare, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zhvillimit të shkathtësive profesionale, komunikuese dhe jetësore, ndër të cilat:
- komunikimi dhe kultura e biznesit;
- etika e biznesit dhe kodi profesional i sjelljes;
- të folurit në publik dhe shprehja e argumentuar e qëndrimeve personale;
- puna në grup dhe në ekip;
- prezantimi i ideve dhe rezultateve;
- analiza, diskutimi dhe nxjerrja e përfundimeve.
Gjatë orës së parë, nxënësit u njohën me MAPAS-in si institucion, me mjedisin e punës dhe me mentoren e tyre. Ata gjithashtu morën një hyrje fillestare në sistemin pensional dhe në sigurimin pensional të financuar kapitalisht, tema me të cilat do të merren gjatë periudhës së ardhshme.
Nxënësit u njohën edhe me faqen e internetit dhe rrjetet sociale të MAPAS-it, të cilat do t’i shqyrtojnë dhe analizojnë gjatë periudhës së ardhshme, duke mësuar se si temat komplekse financiare dhe pensionale mund t’i përcillen publikut në një mënyrë të qartë, të thjeshtë dhe të kuptueshme.
“Besojmë se njohuritë e fituara në bankat shkollore marrin vlerë të shtuar kur të rinjtë kanë mundësinë t’i lidhin ato me praktikën dhe mjedisin real të punës.”
Pikërisht për këtë arsye, përmes këtij programi, MAPAS synon të kontribuojë që të rinjtë jo vetëm të fitojnë më shumë njohuri, por edhe të mësojnë të komunikojnë, të bashkëpunojnë, të mendojnë në mënyrë kritike, t’i prezantojnë dhe t’i argumentojnë qëndrimet e tyre, si dhe të marrin vendime të informuara në jetën e tyre dhe në fushën financiare.
Mësimi përmes punës është përgatitje për profesionin, por njëkohësisht edhe mësim për jetën.
(02) 3224 229
contact@mapas.mk