Sistemi financiar iu përgjigj me sukses goditjes fillestare të Kovid krizës dhe është i gatshëm të trajtojë sfidat e mëtejshme Rregullatorët financiarë po monitorojnë me kujdes situatën dhe zhvillimin e Kovid krizës, me një gatishmëri për të rregulluar politikat e tyre, duke garantuar stabilitetin financiar.
Ky është një nga konkluzionet të mbledhjes së djeshme të Komitetit për Stabilitet Financiar, në të cilën u prezantuan vlerësimet dhe pikëpamjet për secilin nga segmentet e sistemit financiar. Mbledhja u drejtua nga guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, dhe morën pjesë ministri i Financave, Fatmir Besimi, kryetarja e Komisionit të Letrave me Vlerë (KLV), Nora Aliti, kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional (MAPAS), Maksud Ali dhe kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve (ASO), Krste Shajnoski.
Duke iu referuar zhvillimeve në sistemin bankar, guvernatorja Angelovska-Bezhoska theksoi se sipas treguesve të fundit, në fund të tremujorit të tretë, arritjet e sistemit janë më të mirë se para fillimit të Kovid krizës.
„Kapaciteti i sistemit për trajtimin e goditjeve është rritur, me amortizues të konsiderueshëm të kapitalit dhe likuiditetit, dhe në të njëjtën kohë është e rëndësishme që treguesit e efikasitetit të jenë solid. Në të njëjtën kohë, në fund të shtatorit, niveli i kredive me probleme ishte në nivelin historikisht më të ulët prej 3,4%.“ – theksoi Angelovska-Bezhoska.
Në mbledhje u theksua se duke pasur parasysh karakteristikat e Kovid krizës që po kalon ekonomia, është e rëndësishme që të mos ketë ndryshime të konsiderueshme në normën e euroizimit të sistemit bankar – ajo është pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë, me një pjesëmarrje prej rreth 42% të depozitave valutor në totalin e depozitave, që është një tregues i perceptimit të agjentëve ekonomikë.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, vuri në dukje se Ministria e Financave monitoron nga afër segmentin e kompanive financiare dhe kompanive për lizing për të cilat është përgjegjëse si rregullator, megjithëse pjesa e tyre prej më pak se 2% në totalin e aktiveve të sistemit financiar nuk përbën kërcënim për stabilitetin. Ai vuri në dukje se pavarësisht Kovid krizës, ky segment i sistemit financiar po arrin rezultate pozitive financiare.
Besimi theksoi se ruajtja e stabilitetit të sektorit financiar gjatë Kovid krizës është e një rëndësie të veçantë, përfshirë edhe për sektorin real, sepse financat janë shpirti i ekonomisë d.m.th shtytësi i veprimtarive ekonomike.
Në përputhje me pritjet e Ministrisë së Financave dhe bazuar në lëvizjet e tregut, në periudhën e ardhshme aktiviteti i kompanive financiare do të intensifikohet.
Kryetarja e KLV-së, Nora Aliti, duke iu referuar aktiviteteve rregullisht të ndërmarra nga KLV-ja, theksoi se bazat mbi të cilat mbështetet tregu i letrave me vlerë vlerësohen si të shëndosha, por ambienti i ndryshueshëm dhe i paparashikueshëm kërkon monitorim të kujdesshëm të tendencave dhe rreziqeve të mundshme në kontekstin e ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë së tregut të kapitalit në periudhën e ardhshme.
„Në bazë nëntëmujore, shuma totale e qarkullimit në tregun e brendshëm është më e lartë me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Indeksi MBI10, pas luhatjeve të theksuara të çmimeve dhe rënies së vlerës në tremujorin e parë, në pjesën tjetër të vitit regjistroi një lëkundje të vogël dhe në bazë vjetore regjistroi një rënie të lehtë prej 3,52%, pra rënien më të ulët krahasuar me indekset kryesore rajonale të bursës.“ – theksoi Aliti.
Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të MAPAS, Maksud Ali, theksoi se financimi kapital i sigurimit pensional vijon të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe transparente me rreziqe të identifikuara që analizohen dhe kontrollohen rregullisht dhe në kuadër të rregullores, me vëmendje të veçantë për investimin e aktiveve të fondeve pensionale.
„Megjithatë, pasiguria në tremujorin e katërt të këtij viti është ende mjaft e lartë. Vala e dytë e virusit mund të shkaktojë luhatje të reja në tregjet financiare, dhe kështu të ndikojë në vlerën e fondeve të pensionit. Zhvillimi i teknologjisë, nga ana tjetër, kërkon përshtatje të shpejtë të rregullores për nevojat e anëtarëve të fondeve të pensionit, si dhe për mbikëqyrjen e kompanive të pensioneve, në mënyrë që të minimizohet rreziku i përhapjes së virusit dhe për të mbrojtur shëndetin publik, duke siguruar njëkohësisht vazhdimësinë e biznesit dhe funksionimin e qetë të sigurimeve pensionale.“ – tha Ali.
Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të ASO-së, Krste Shajnoski, theksoi se gjendja financiare e kompanive të sigurimeve është përmirësuar në gjysmën e parë të vitit.
„Politikat dhe rregullorja konservatore për vlerësimin e rezervave teknike dhe investimet e mjeteve që i mbulojnë rezervat teknike, si dhe cilësia e lartë e instrumenteve të përfshira në llogaritjen e kapitalit të kompanive të sigurimeve janë një bazë e mirë dhe garanci për ruajtjen e aftësisë paguese në operacionet e kompanive.“ – theksoi Shajnoski.
Në mbledhje, ndër të tjera, u theksua se në periudhën e kaluar ka pasur keqinformime dhe pretendime për institucione të caktuara financiare, të cilat nuk bazohen në fakte. Duke pasur parasysh pasojat e mundshme nga fenomenet e këtilla në sistemin financiar, u theksua nevoja për përpjekje të përbashkëta të rregullatorëve financiarë për të parandaluar krijimin e rreziqeve nga një fenomen i tillë, gjë që do të ishte një investim shtesë në forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar. Gjithashtu u theksua se është e rëndësishme që agjentët ekonomikë të ndjekin burimet referuese dhe zyrtare të informacionit në lidhje me institucionet financiare dhe të gjitha segmentet e sistemit financiar.
Në fund të mbledhjes së Komisionit, u theksua vendosmëria e rregullatorëve financiarë për monitorimin e mëtejshëm të koordinuar të situatës në të gjitha segmentet e sistemit financiar.