Sistemi financiar iu përgjigj me sukses sfidave të vitit të kaluar nga kriza e koronës. Kërkesat e larta rregullatore në periudhën para shfaqjes së krizës së koronës dhe masat rregullatore të vitit të kaluar kontribuuan në ruajtjen e mëtejshme të stabilitetit të tij, si dhe gatishmërinë e tij për sfidat e mëtejshme. Duke pasur parasysh që kriza shëndetësore vazhdon të zgjasë, rregullatorët do të vazhdojnë të monitorojnë situatën me vigjilencë të veçantë, duke rregulluar masat dhe qasjen e tyre ndaj veprimeve parandaluese për të forcuar më tej stabilitetin financiar, dhe kështu rezistencën e sistemit ndaj goditjeve.
Këto janë pjesë e konstatimeve nga mbledhja e sotme e Komitetit për Stabilitet Financiar, në të cilën u prezantuan pikëpamjet dhe të dhënat fillestare mbi arritjet e vitit të kaluar dhe situatën aktuale në segmente të veçanta të sistemit financiar në vend, në kushte të krizës së koronës. Mbledhja u drejtua nga guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, dhe në të morën pjesë ministri i Financave, Fatmir Besimi, kryetarja e Komisionit të Letrave me Vlerë (KLV), Nora Aliti, kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional (MAPAS), Maksud Ali dhe kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve (ASO), Krste Shajnoski.
Duke iu referuar zhvillimeve në sistemin bankar në vitin 2020, guvernatorja Angelovska-Bezhoska ritheksoi se sistemi bankar me sukses iu përgjigj sfidave të vitit të kaluar nga kriza shëndetësore.
„Sistemi bankar, në kushte të një mjedisi jashtëzakonisht të paparashikueshëm, arriti të ruajë ciklin e kredisë duke arritur rritje të kredisë prej 4,7%, e cila u financua nga rritja e qëndrueshme e depozitave prej afër 6%. Këto arritje mbështeten nga pozicioni i qëndrueshëm i kapitalit dhe i likuiditetit. Sipas të dhënave fillestare, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit të sistemit në fund të vitit të kaluar u rrit në 16,6%, ndërsa likuiditeti tradicionalisht u ruajt në një nivel të qëndrueshëm me një pjesëmarrje prej 30% të aktivit likuid në totalin e aktivit. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit kreditore u përmirësua, me ç’rast pjesëmarrja e kredive me probleme në totalin e kredive të sistemit bankar u ul në nivelin historikisht më të ulët prej 3,4%. Sidoqoftë, duke qenë se ende ekziston pasiguria lidhur me krizën shëndetësore dhe ndikimin e saj mbi sektorin real, është e nevojshme të jemi të kujdesshëm dhe të monitorojmë vazhdimisht efektet e mundshme të pafavorshme të transmetimit në sektorin bankar përmes kanalit të rrezikut të kredisë.“ – theksoi guvernatorja Angelovska-Bezhoska.
Në kontekst të vazhdimit të zgjatjes së krizës shëndetësore, mbledhja gjithashtu vuri në dukje masën parandaluese për të kufizuar përkohësisht shpërndarjen dhe pagesën e dividendit të aksionarëve të bankave dhe shtëpive të kursimit. Në këtë mënyrë, u theksua edhe një herë se masa vepron në mënyrë parandaluese për të forcuar më tej rezistencën e sistemit bankar dhe për të siguruar mbështetje të qëndrueshme të kredisë për qytetarët dhe kompanitë.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, tha se Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën Popullore është një hap pranë miratimit të një Ligji të ri për Stabilitet Financiar dhe një Ligji të ri për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave, me të cilin do të ndiqen përvojat më të mira të Bashkimit Evropian dhe i cili tashmë është parashtruar në ENER (Regjistri i Vetëm Elektronik Nacional i Rregulloreve). Besimi theksoi se përkundër krizës të shkaktuar nga pandemia, në vitin 2020, kompanitë financiare dhe ofruesit e lizingut financiar e rritën vlerën e vendosjeve financiare dhe fitimeve.
Besimi theksoi se Ministria e Financave i kushton vëmendje të veçantë mbrojtjes së konsumatorëve. Për atë qëllim, së shpejti do të fillojë me punë edhe një grup i punës i përbërë nga anëtarët e organeve rregullatore, i cili do të ketë një detyrë shumë të rëndësishme dhe përgjegjshme – të përgatisë një zgjidhje cilësore për mbrojtje më të madhe të qytetarëve përdorues të shërbimeve financiare.
„Përkundër faktit se tregu i letrave me vlerë kishte presione të konsiderueshme negative të çmimeve, veçanërisht në tremujorin e parë, tregtia në Bursën Maqedonase ishte e pandërprerë dhe e rregullt dhe deri më 31 dhjetor të vitit 2020, të gjithë parametrat e tregut e tejkaluan nivelin para pandemisë. Totali i qarkullimit vjetor në tregun e brendshëm arriti në 8,20 miliardë denarë, që është një rritje për më shumë se 6% në krahasim me vitin 2019.“ – theksoi kryetarja e KLV-së, Nora Aliti.
Analizuar sipas dinamikës tremujore, siç theksoi Aliti, pjesa më e madhe e qarkullimit vjetor, gjegjësisht thuajse 51% është arritur në tremujorin e parë të vitit. Gjatë vitit 2020, rezidentët, përmes personave juridikë të autorizuar vendas, kanë investuar një total prej 56.88 milionë euro në tregjet e huaja.
„Në bazë vjetore, vlera e MBI-10 shënoi një rritje të lehtë me 1,2%, edhe pse nuk u shpërnda, por u shkaktua nga vlera e aksioneve në vetëm tre nga dhjetë kompanitë që e përbëjnë indeksin. Vlera neto e aseteve të fondeve të investimit të menaxhuara nga kompanitë e menaxhimit, më 31 dhjetor të vitit 2020, ishte 145,5 milionë euro, që krahasuar me vitin 2019 është një rritje prej 3,72%.“ – theksoi kryetarja e KLV-së.
Dy muajt e parë të këtij viti, siç tha Aliti, treguan arritje pozitive në treg, por akoma ka nevojë për një qasje proaktive dhe monitorim vigjilent të infrastrukturës së përgjithshme të tregut, dhe në raste nëse paraqitet nevoja edhe marrjen e disa masave korrigjuese.
„Gjatë vitit 2020, fondet e pensioneve e ruajtën stabilitetin e aseteve, përkundër zhbalancimeve të përkohshme në tregjet e kapitalit kryesisht të shkaktuara nga ndikimi i pandemisë, në fund të vitit 2020 e tejkaluan vlerën në raport me vitin e kaluar për rreth 15,3%. Prandaj, treguesit e analizuar të MAPAS tregojnë arritjen e rezultateve të duhura dhe kthimin e realizuar të fondeve të pensionit, i cili pasohet nga qeverisja e vendosur korporative e kompanive të pensionit.“ – theksoi kryetari i Këshillit të Ekspertëve të MAPAS, Maksud Ali, duke iu referuar gjendjeve dhe të dhënave për financimin kapital të sigurimit pensional.
Lidhur me monitorimin e vazhdueshëm të situatës dhe rreziqeve të mundshme, me vëmendje të veçantë për rreziqet investuese dhe operacionale, Ali vuri në dukje se MAPAS operon brenda kornizës së përcaktuar të mbikëqyrësve të pensioneve që njihen, janë rekomanduar dhe janë konfirmuar nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Pensionit.
„Situata financiare e sektorit të sigurimeve në fund të vitit të kaluar është përmirësuar, dhe kompanitë për sigurim kanë aftësi paguese dhe janë likuide. Pasojat e pandemisë kryesisht janë ndjerë përmes rënies së kontratave të lidhura për sigurimin e automjeteve për udhëtime jashtë vendit, si dhe për sigurimin e udhëtarëve dhe sigurimin e jetës.“ – theksoi kryetari i Këshillit të Ekspertëve të ASO-së, Krste Shajnoski.
Ai vuri në dukje se ulja e aktiviteteve të siguruesve kontribuoi në rritjen e përfitimit të tyre, dhe se ndryshimi në rregulloren për vlerësimin e kërkesave bazuar në prime gjithashtu kontribuoi në rritjen e përfitimit. Vitin e kaluar, ASO-ja miratoi tre rregullore sistematike për funksionimin e kompanive të sigurimeve, dhe kohët e fundit, me qëllim të ruajtjes dhe forcimit të gjendjes financiare, aftësisë paguese dhe likuiditetit në funksionimin e kompanive, i këshilloi ato të përmbahen nga pagesa e dividendit për fitim e arritur në vitin e kaluar.
„Shuma totale e primeve të vendosura bruto në vitin 2020 është 10.059 milionë denarë, që është një rënie vjetore prej 4,8% krahasuar me vitin 2019 (2019: 10.563,3 milionë denarë). Totali i aktivit të sektorit të sigurimeve në fund të vitit të kaluar ishte 25.715 milionë denarë dhe krahasuar me gjendjen në fund të vitit para kësaj shënon rritje prej 7.5%. Pjesa e konsiderueshme e investimeve në instrumentet financiare është ruajtur në fund të vitit 2020, gjë që është një garanci për stabilitetin e sektorit.“ – theksoi Shajnoski duke prezantuar treguesit fillestarë për sektorin e sigurimeve për vitin e kaluar.
Në mbledhje u theksua se arritjet e vitit të kaluar të sistemit financiar pasqyrojnë gatishmërinë e tij për t’iu përgjigjur sfidave të krizës, dhe se sigurisht qasja e kujdesshme parandaluese është akoma e nevojshme nga të gjithë pjesëmarrësit në sistem. Të gjithë rregullatorët po monitorojnë vazhdimisht ngjarjet, përfshirë edhe rreziqet e mundshme nga mjedisi dhe nëse është e nevojshme, janë të përgatitur për të rregulluar politikat në mënyrë të përshtatshme dhe për të ndërmarrë masa shtesë, në përputhje me kompetencat e tyre.