Agjencia për mbikëqyrje të
financimit kapital të sigurimit pensional

U miratua Strategjia e parë nacionale për edukim financiar dhe inkluzion financiar

Kriza e koronës po çon drejt një epoke të transformimit të ekonomive tradicionale në ekonomi më të mençura, më të digjitalizuara, gjithëpërfshirëse dhe më të gjelbra. Në kushte të tilla, kur shërbimet fintek janë gjithnjë e më shumë pjesë e realitetit tonë, nevoja për një nivel më të lartë të shkrim-leximit financiar, si një parakusht për përfshirjen financiare, do të jetë edhe më e theksuar. Por kjo nënkupton nevojën për një aktivitet më të madh për të mbrojtur konsumatorët. Rregullatorët financiarë i kanë pritur sfidat e tilla të përgatitur – që disa vjet më parë ata filluan procesin e përgatitjes së Strategjisë së parë kombëtare për edukim financiar dhe inkluzion financiar, në suazat e projektit pesëvjeçar për edukimin financiar me mbështetje nga Ministria e Financave të Holandës dhe Rrjeti Ndërkombëtar i Edukimit Financiar në OECD (INFE-OECD). Sot, Strategjia u miratua dhe u promovua. Ajo i referohet periudhës 2021-2025 dhe e tejkalon qëllimin e projektit në suazat e të cilit u përgatit fillimisht, sepse i referohet jo vetëm edukimit financiar, por edhe inkluzionit financiar, duke pasur parasysh kushtëzimin dhe lidhjen e tyre të ndërsjellë.

Në këtë eveniment, me rastin e miratimit të saj, mbajtën fjalim përfaqësuesit e të gjithë rregullatorëve financiarë – Guvernatorja e Bankës Kombëtare, Anita Angellovska-Bezhoska, ministri i Financave, Fatmir Besimi, kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencia për mbikëqyrjen e financimit kapital të sigurimit pensional (MAPAS), Maksud Ali, kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS), Kërste Shajnoski dhe komisionari i Komisionit të Letrave me Vlerë (SEC), Kiril Jovanovski.

“Edukimi financiar është në thelbin e stabilitetit financiar, veçanërisht pas krizës globale financiare të vitit 2008/2009, e cila ishte kryesisht pasojë e rreziqeve të zmadhuara për shkak të vendimeve të dobëta financiare. Por procesi i edukimit financiar nuk mund të jetë spontan. Ai kërkon informacione, udhëzime, këshilla, por para së gjitha një qasje sistematike. Prandaj, nevojitet një qasje e koordinuar në nivelin kombëtar, përkatësisht një kornizë strategjike e cila e njeh rëndësinë e edukimit, mundëson përfshirjen dhe koordinimin e të gjitha palëve relevante dhe përcakton një hartë të aktiviteteve për arritjen efektive të qëllimeve. Kjo na çon te Strategjia për edukimin financiar dhe inkluzion financiare, të cilën po e miratojmë sot. Qasja strategjike dhe sistematike ndaj çështjes së edukimit financiar është edhe më e rëndësishme në këtë kohë të re të revolucionit në fushën e shërbimeve financiare (fintek)”- theksoi në fillim të fjalimit të vet, guvernatorja e Bankës Kombëtare, Anita Angellovska-Bezhoska, kurse mandej iu referua aktiviteteve të veçanta të parapara me këtë Strategji.

Ajo vuri në dukje se për përpilimi si duhet të Strategjisë, një parakusht kryesor ishte vlerësimi i nivelit aktual të shkrim-leximit financiar, për shkak të së cilës filloi matja e parë e nivelit të shkrim-leximit financiar sipas metodologjisë së OECD-së, sipas së cilës popullata jonë arriti 56% të vlerës maksimale, e cila u konfirmua  edhe gjatë matjes së dytë të kryer në suazat e projektit. Ky nivel është i krahasueshëm me vendet e rajonit, por, përsëri, krahasuar me vendet e zhvilluara tregon një hapësirë ​​të konsiderueshme për përmirësim.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi theksoi se Strategjia është e rëndësishme për dy arsye: së pari, sepse edukimi financiar dhe inkluzioni janë baza për stabilitetin e sistemit financiar dhe së dyti, për të arritur rezultate të konsiderueshme në këtë fushë, nevojitet që të veproni sipas parimit SMART, d.m.th. të vendosen qëllime të qarta, strategji të mirë dhe plan realizimi.

“Me një proces të koordinuar mirë të edukimit financiar, i cili do të përfshijë institucionet dhe subjektet private të cilat mund të kontribuojnë, në planin afatmesëm mund të arrihen rezultate me të vërtetë më të mira sa i përket edukimit financiar të popullatës. Kjo do të përmirësojë efektivitetin e pjesëmarrjes së tyre në sektorin financiar, kurse njëkohësisht edhe do të mbrohen si konsumatorë që kanë informacione më të mira dhe më shumë. Duke përdorur praktikat e mira për të nxitur inkluzionin financiar, mund të lehtësohet qasja në financa për shumë kategori. zmadhimi i inkluzionit financiar është veçanërisht i rëndësishëm për ekonominë, sepse siguron qasje në kapital, që tërheq investime dhe konsum, gjë që nga ana tjetër çon aktivitet të zmadhuar ekonomik.” – tha ministri i Financave, Besimi.

Ministri theksoi se në drejtim të përmirësimit të qasjet te shërbimet financiare, së shpejti do të fillojë të funksionojë Fondi i Garancisë nëpërmjet të cilit do të zbatohet skema e garancisë shtetërore, e cila do ta lehtësojë qasjen te kapitali për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Fondi, nga njëra anë, do të kontribuojë në ofrimin e produkteve të reja në sistemin financiar me rrezik më të ulët për bankat dhe arkat e kursimeve, kurse nga ana tjetër, do të sigurojë qasje në kapital për ata që kanë më shumë vështirësi në marrjen e kredive , d.m.th. për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të AMS, Kërste Shajnoski, theksoi se përshpejtimi i procesit të edukimit financiar dhe inkluzionit është veçanërisht i rëndësishëm nëse merret parasysh niveli i ulët i zhvillimit të tregut të sigurimeve në segmentin e sistemit financiar.

“Miratimi i Strategjisë si një dokument zyrtar do të mundësojë arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta, siç janë sigurimi i rritjes dhe i zhvillimit të tregut financiar, shpërndarja e gjerë dhe qasja e shërbimeve financiare për çdo individ, familje, biznes të vogël ose të madh, për sektorin publik dhe e të gjithë kjo me çmime të drejta. Sigurisht që ky synim do të zbatohet vetëm nëse sigurojmë funksionimin e institucioneve të shëndetshme financiare të cilat udhëhiqen dhe kontrollohen nga kuadër profesional, i cili e balancon me sukses arritjen e qëllimeve të drejtuar nga interesi për të realizuar fitim, nga njëra anë, dhe sigurimi i cilësisë së shërbimeve financiare dhe raportit të drejtë ndaj përdoruesve të shërbimeve financiare, nga ana tjetër. “- rekomandoi Shajnoski.

“Duke u udhëhequr nga parimi themelor i se edukimi financiar është investim afatgjatë për të gjithë shoqërinë dhe për shtetin, si edhe për individin i cili do të mund të marrë më lehtë dhe më me siguri vendime financiare të shëndetshme dhe të jetojë më me cilësi, jam i bindur se me miratimin e Strategjisë si dokument gjithëpërfshirës, sigurojmë planifikim të mençur dhe efikas të të gjitha aktiviteteve tona të ardhshme dhe të resurseve në pjesën e zhvillimit të edukimit financiar dhe inkluzionit financiar të popullsisë së tërësishme në vendin tonë, duke vënë theksin e veçantë te të rinjtë si grupi më i rëndësishëm qëllimor. Pikërisht për këtë arsye, MAPAS konsideron se me rëndësi jashtëzakonisht të madhe është përfshirja e sektorit joqeveritar dhe privat në zbatimin dhe realizimin e qëllimeve të Strategjisë. Në këtë mënyrë do të sigurojmë edukim financiar më gjithëpërfshirës dhe inkluzion financiar më të madh të popullatës.” – theksoi kryetari i Këshillit të Ekspertëve të MAPAS-it, Maksud Ali.

“”Në kushtet e globalizimit, për shkak të përzgjedhjes së madhe dhe qasjes te produktet financiare, njohuritë financiare janë duke u bërë një nga prioritetet e mbartësve të politikave ekonomike. Përkatësisht, duhet të theksohet se aftësia për të përpunuar një sasi të madhe informacionesh rritet me ngritjen e nivelit të të kuptuarit të instrumenteve financiare komplekse. Këtu, duhet të pranohet se këmbëngulja për qartësi dhe transparencë të lartë nga pjesëmarrësit në sistemin financiar duhet të shoqërohet nga një kuptim i duhur nga ata për të cilët kërkohet transparencë. Përveç kësaj, përforcimi i edukimit financiar dhe përfshirjes do të nënkuptojë rritjen e kontributit të sektorit financiar në zhvillimin ekonomik. Duke e pasur parasysh këtë fakt, KLVRMV-ja thekson se me të gjitha kapacitetet e veta do të përpiqet në ngritjen e shkrim-leximit financiar, sidomos për çështjet që lidhen me tregun e letrave me vlerë.” – theksoi Kiril Jovanovski në emër të KLV-së.

Me këtë Strategji, ndër të tjerash, parashikohet zhvillimi i programeve speciale edukuese për grupmosha të ndryshme të popullsisë, nga më të rinjtë te më të moshuarit, duke marrë parasysh kuptimin e edukimit si një proces gjatë gjithë jetës dhe veçanërisht dinamikën e financave në ditët e sotshme. Programet edukuese duhet të konceptohen në përputhje me Kompetencat themelore për edukimin financiar, si një dokument i veçantë i paraparë me këtë Strategji, i cili tashmë është duke u përgatitur. Për ndërtimin e një kornize e cila do të sigurojë koordinimin e duhur të aktiviteteve, shkëmbimin e informacionit, si dhe edukimin financiar cilësor, objektiv dhe të paanshëm nga të gjithë ofruesit e mundshëm, tashmë po përpilohet Kod i Praktikave të Mirë për edukimin financiar me përfshirjen e rregullatorëve, institucioneve financiare private dhe me përfshirjen e shoqatave qytetare. Monitorimi i zbatimit të aktiviteteve të parashikuara do të bëhej nëpërmjet një grupi pune me përfaqësues të rregullatorëve, sektorit privat dhe qytetar, duke u përforcuar kështu bashkëpunimi dhe do të mundësohet shpërndarje optimale e burimeve në dispozicion për qëllimet e përcaktuara.

Në periudhën e ardhshme, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet aktiviteteve në lidhje me mbrojtjen e konsumatorit, në segmente të veçanta financiare, e cila është gjithashtu në favor të inkluzionit më të madh financiar në të ardhmen. Një pjesë e aktiviteteve të planifikuara në fushën e mbrojtjes së konsumatorit janë në anën e rregullatorëve, kurse një pjesë në anën e sektorit financiar privat, që edhe një herë dëshmohet bashkëpunimi i domosdoshëm, si parakusht për zbatimin e suksesshëm të aktiviteteve të planifikuara. Është paraparë shqyrtimi i opsioneve alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mundshme me konsumatorët, duke përfshirë edhe shqyrtimin e mundësisë së krijimit të një Avokati të Popullit, d.m.th. Avokat i Popullit për sektorin financiar.

Në përputhje me këtë Strategji, vëmendje përkatëse duhet t’i kushtohet edhe zmadhimit të transparencës në punë dhe në shpalljen e të dhënave mbi shërbimet financiare të sektorit privat financiar, duke përfshirë edhe standardizimin e të dhënave të shpallura për të njëjtin lloj shërbimi.

Link te videomateriali: https://youtu.be/RtpKYlcURpI

Trupi koordinues për edukim financiar dhe inkluzion financiar

Skip to content