Agjencia për mbikëqyrje të
financimit kapital të sigurimit pensional

MAPAS në ligjëratën e prof. dr. Marçin Pjontkovski për transformimin ekonomik dhe përvojën reformuese të Polonisë

Përfaqësues të Agjencisë për Mbikëqyrjen e Financimit Kapital të Sigurimit Pensional – MAPAS morën pjesë në ligjëratën e prof. dr. Marçin Pjontkovski në Fakultetin Ekonomik – Shkup, me temën „Kampioni evropian i rritjes ekonomike: Rruga e Polonisë nga varfëria drejt prosperitetit“.
Ligjërata, e ndërlidhur edhe me hulumtimet e paraqitura në librin e prof. Pjontkovski-t Europe’s Growth Champion: Insights from the Economic Rise of Poland, ofroi një pasqyrë më të gjerë të transformimit ekonomik të Polonisë, rolit të institucioneve dhe reformave në zhvillimin e saj, si dhe sfidave për ruajtjen e rritjes ekonomike afatgjatë.Nga aspekti i kompetencave të saj, MAPAS në vazhdimësi ndjek dhe analizon përvojat ndërkombëtare dhe proceset reformuese në vendet që në sistemet e tyre pensionale kanë futur komponentin e financuar kapitalisht, duke përfshirë edhe ndryshimet e mëvonshme që një pjesë e tyre i kanë zbatuar në kushtet e krizave ekonomike dhe politike, presioneve fiskale, ndryshimeve demografike dhe sfidave të shtuara buxhetore. Qasjet e ndryshme reformuese dhe zgjidhjet ligjore paraqesin bazë të rëndësishme për shqyrtimin krahasues të përfitimeve, rreziqeve dhe efekteve afatgjata të reformave pensionale.
Për MAPAS, ndjekja e përvojave ndërkombëtare është veçanërisht e rëndësishme, pasi efektet e reformave pensionale duhet të vlerësohen në kontekstin e sistemit pensional në tërësi, duke marrë parasysh specifikat e tij institucionale, ekonomike, fiskale dhe demografike. Prandaj, çdo ndryshim eventual në sigurimin pensional të detyrueshëm të financuar kapitalisht duhet të bazohet në analiza gjithëpërfshirëse aktuariale, fiskale dhe investuese, me qëllim që të vlerësohen objektivisht efektet afatshkurtra dhe afatgjata mbi anëtarët, financat publike, qëndrueshmërinë e sistemit dhe përshtatshmërinë e përfitimeve të ardhshme pensionale.
Rezultatet e sigurimit pensional të financuar kapitalisht MAPAS i bazon dhe i shqyrton përmes analizave krahasuese, gjithëpërfshirëse dhe afatgjata, të cilat marrin parasysh rendimentet e realizuara, periudhën e akumulimit të mjeteve, lartësinë dhe vazhdimësinë e kontributeve, kompensimet, inflacionin, kufizimet e investimeve dhe rrezikun e marrë përsipër. Gjatë vlerësimit të rezultateve investuese, rëndësi të veçantë ka zbatimi i një metodologjie të qartë dhe konsistente, me periudhë kohore të krahasueshme dhe referencë përkatëse, si dhe dallimi i qartë ndërmjet rendimentit nominal dhe atij real dhe ndërmjet rendimentit para dhe pas kompensimeve.
Njëkohësisht, analiza e efekteve të reformave pensionale duhet të përfshijë edhe qëndrueshmërinë fiskale të shtyllës së parë pensionale, lëvizjet demografike, transferet buxhetore drejt Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor dhe detyrimet afatgjata të shtetit, me qëllim që përfitimet dhe rreziqet nga zgjidhjet e ndryshme reformuese të vlerësohen në mënyrë integrale dhe jo përmes vëzhgimit të izoluar të një komponenti të veçantë të sistemit pensional.
MAPAS mbetet e përkushtuar ndaj një qasjeje profesionale, të pavarur dhe analitike, ndjekjes së vazhdueshme të përvojave ndërkombëtare dhe analizës së thelluar të përfitimeve dhe rreziqeve nga modelet e ndryshme reformuese, me qëllim parësor mbrojtjen e të drejtave dhe interesave afatgjata të anëtarëve dhe kontributin në sigurimin e një sistemi pensional financiarisht të qëndrueshëm dhe përfitimeve pensionale të përshtatshme për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme.
Përvojat ndërkombëtare dhe qasjet e ndryshme në reformat e sistemeve pensionale paraqesin bazë të rëndësishme për MAPAS për shqyrtimin krahasues të përfitimeve, rreziqeve dhe efekteve të tyre afatgjata mbi qëndrueshmërinë e sistemit pensional dhe përshtatshmërinë e përfitimeve pensionale.

 

Skip to content