Agjencia për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional – MAPAS e informon publikun e gjerë se i ndjek nga afër të gjitha aktivitetet dhe rekomandimet për mbrojtje dhe parandalim të përhapjes së koronavirusit dhe i mbështet konkluzionet, masat dhe rekomandimet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për trajtimin e kërcënimit nga virusi COVID 19 (koronavirusi).
Për të minimizuar rrezikun e përhapjes së virusit dhe mbrojtjen e shëndetit të anëtarëve të fondit pensional, punonjësve të agjencisë dhe të gjithë qytetarëve, e me qëllim të sigurimit të funksionimit pa pengesa të financimit kapital të sigurimit pensional MAPAS:
- siguron komunikim pa pengesa me anëtarët e fondeve pensionale përmes telefonave të saj për kontakt dhe postës elektronike për kontaktit;
- siguron komunikim pa pengesa të vazhdueshëm me të gjitha subjektet që janë nën mbikëqyrje – shoqëritë pensionale, kujdestarët e pronës, me Fondin për SIPMV dhe rregullatorët e sektorit financiar, si dhe me Organizatën ndërkombëtare të mbikëqyrësve të fondeve pensionale (IOPS);
- i ka anuluar kontrollet e terrenit të shoqërive pensionale, fondeve pensionale dhe kujdestarëve të pronës të parashikuar në Planin vjetor për kontrolle në terren të Agjencisë për vitin 2020 për sa kohë që, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, do të jenë fuqi masat për luftë kundër pandemisë COVID 19;
- e ka anuluar realizimin e provimit për agjentë;
- i ka anuluar të gjitha vizitat e planifikuara për edukim;
- i ka anuluar të gjitha takimet dhe mbledhjet e planifikuara me rregullatorët pensionalë në rajon;
- i ka anuluar procedurat kundërvajtëse gjatë gjendjes së jashtëzakonshme;
MAPAS gjithashtu e monitoron nga afër situatën në financimit kapital të sigurimit pensional dhe rreziqet e mundshme në financimit kapital të sigurimit pensional si rezultat i përhapjes së virusit COVID 19. Në këtë drejtim MAPAS thekson se:
- Fondet pensionale iu nënshtrohen zhvillimeve dhe lëvizjeve ciklike, që nënkupton një rritje ose ulje të vlerës së njësive të tyre të kontabilitetit, në varësi të investimit të mjeteve dhe lëvizjes së vlerës së instrumenteve në të cilët investohen mjetet e fondeve pensionale. Duke pasur parasysh që, gjatë dy muajve të fundit, pandemia COVID 19 ka efekte të konsiderueshme në çmimet e të gjithë tregjeve globale financiare, edhe fondet pensionale maqedonase nuk kanë mbet imunë ndaj tendencave aktuale globale. Megjithatë, duhet të theksohet se këto efekte janë afatshkurtra dhe fondet pensionale për nga natyra e tyre funksionojnë në afat të gjatë prandaj performanca e tyre vlerësohet në afat të gjatë. Është logjike dhe e pritshme që, në tërë periudhën derisa anëtarët investojnë në fondet pensionale, të ketë edhe periudha me rezultate më të dobëta, madje edhe kriza financiare në të gjithë tregun e kapitalit, brenda apo jashtë vendit, por më e rëndësishmja është që rezultatet pozitive të periudhave të punës mirë të kompensojnë efektet e këtyre tronditjeve të tregut.
- Ndikimi i krizave të tilla financiare te anëtarët e fondeve pensional me kontribute të përcaktuara varet gjithashtu nga mosha e anëtarit. Duke pasur parasysh që mosha mesatare e anëtarëve të fondeve obligative pensionale është 35 vjet dhe mbi 95% e anëtarëve të fondeve obligative pensionale janë më të rinj se 50 vjeç, pritet që këto ndikime të pafavorshme afatshkurtra mbi mjetet e fondeve pensionale të neutralizohen gjatë viteve në vazhdim që ata i kanë deri në pension.
- Shoqëritë pensionale reagojnë në mënyrë të duhur ndaj situatës së krijuar rishtazi duke iu përmbajtur plotësisht kornizës rregullatore, si dhe rregulloreve dhe dokumenteve të brendshme. Shoqëritë pensionale i investojnë mjetet e fondeve pensionale për të realizuar rendimentin më të lartë, vetëm në dobi të anëtarëve të fondeve pensionale dhe përmes diversifikimit dhe analizës financiare e minimizojnë rrezikun e humbjes që rezulton nga ndikimi i tregjeve financiare të vendit dhe të huaja. Gjatë menaxhimit dhe kontrollit të investimit të mjeteve të fondeve pensionale, anëtarët e bordeve të shoqërive pensionale zbatojnë shkallë të kujdesit, efektivitetit dhe aftësive që do t’i zbatonte secili një person i arsyeshëm gjatë investimit të fondeve personale.
- Një nga rekomandimet kryesore të OECD dhe Bankës Botërore në lidhje me kriza të tilla financiare është të shmangen ndryshimet e shpejta të sistemeve pensionale si përgjigje ndaj kushteve aktuale. Sistemet pensionale janë krijuar për të funksionuar në planin afatgjatë dhe përgjigjet e shpejta ndaj ngjarjeve relativisht të rralla mund të sjellin pasoja të mundshme negative afatgjata për sistemet pensionale.
Në këtë periudhë kaq të vështirë, MAPAS siguron që kontinuiteti në funksionimin e financimit kapital të sigurimit pensional mirëmbahet plotësisht, që e monitoron situatën rregullisht dhe nëse është e nevojshme do të ndërmarrë aktivitete dhe masa shtesë.