Agjencia për mbikëqyrje të
financimit kapital të sigurimit pensional

Banka Popullore: Vazhdon Projekti për edukim financiar me INFE-OECD-në, Ministrinë e Financave të Holandës dhe Money Wise

Vazhdon forcimi i kapaciteteve të Bankës Popullore dhe rregullatorëve financiarë (Ministria e Financave, Komisioni i Letrave me Vlerë, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve dhe Agjencia për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional) në fushën e edukimit financiar, nëpërmjet bashkëpunimit me institucione eminente financiare. Fillon faza e dytë e Projektit për edukimin financiar e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Rrjetit të saj Ndërkombëtar për Edukimin Financiar (INFE), i zbatuar me mbështetjen financiare të Ministrisë së Financave të Holandës dhe platformën e saj Money Wise[1] e cila do të zhvillohet në periudhën e ardhshme pesëvjeçare, nga viti 2023-2027. Prioriteti kryesor i fazës së dytë është të mbështesë vendet për të përmirësuar nivelin e edukimit financiar të popullsisë së tyre duke mbështetur përcaktimin dhe zbatimin e strategjive dhe politikave vendase të edukimit financiar, duke ofruar përgatitjen e analizave, raporteve dhe rekomandimeve për ngritjen e kapaciteteve të përshtatura me nevojat përkatëse institucionale dhe prioritetet strategjike.

Në projekt, përveç vendit tonë, do të përfshihen edhe Armenia, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Gjeorgjia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania dhe Ukraina. Nëpërmjet aktiviteteve të projektit do të ofrohet mundësi për qasje në ekspertizën nga rajoni dhe më gjerë për çështjet aktuale nga fusha e edukimit financiar dhe do të lancohen nisma efektive për edukim financiar që lindin nga praktikat dhe përvojat më të mira ndërkombëtare

Në kuadër të fazës së parë të Projektit (2018-2021), nga Banka Popullore, në bashkëpunim me rregullatorë të tjerë financiarë, u zhvillua Strategjia e parë kombëtare për edukimin financiar dhe përfshirje financiare (për vitin 2021-2025). U zhvillua Kodi i praktikave të mira për edukimin financiar, si dhe Kuadri i kompetencave bazë për edukimin financiar. Në të njëjtën kohë, u krijuan rrjet subjektesh nga sektori privat dhe civil, të përfshirë në fushën e edukimit financiar dhe përfshirjes financiare. Në kuadër të fazës së parë, ndër të tjera, nga ana e INFE-OECD-së u mblodhën të dhëna për nivelin e edukimit financiar të popullsisë së rritur, si dhe u realizua anketë mbi edukimin financiar të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Këto matje krijuan bazë për aktivitete të mëtejshme në fushën e edukimit financiar, të cilat do të vazhdojnë në fazën e dytë të projektit.

[1] Money Wise është platformë për edukimin financiar të popullsisë dhe bashkëpunimin me të gjitha subjektet e interesuara në këtë fushë, e krijuar nga Ministria e Financave e Holandës.

 

 

Skip to content