Agjencia për mbikëqyrje të
financimit kapital të sigurimit pensional

Java Globale e Parasë 2026: “Biseda për menaxhim të mençur të parave”

Banka Popullore, Ministria e Financave, Komisioni për Letra me Vlerë, Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional me Financim Kapital (MAPAS) dhe Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimeve, në bashkëpunim me shoqatat dhe institucionet nga sektori privat dhe ai civil që janë aktive në fushën e edukimit financiar, në periudhën 16–22 mars 2026, për të katërmbëdhjetin vit me radhë do ta shënojnë Javën Globale të Parasë.

Java Globale e Parasë tradicionalisht shënohet përmes ligjëratave për grupmosha të ndryshme, publikimit të materialeve edukative nga fusha e financave në faqet e internetit, organizimit të punëtorive me prani fizike ose online, si dhe publikimit të përmbajtjeve edukative në rrjetet sociale.
Tema e këtij viti është: “Biseda për menaxhim të mençur të parave” (Smart money talks).

Në kuadër të shënimit të Javës Globale të Parasë, aktivitete do të realizojë edhe Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional me Financim Kapital (MAPAS), të orientuara drejt rritjes së ndërgjegjësimit për rëndësinë e kursimit dhe investimit afatgjatë si bazë për siguri financiare.

Gjatë javës, MAPAS do të zhvillojë një takim me përfaqësues të Qendrës për Hulumtim dhe Krijim Politikash (CRPM), ku do të diskutohet për mbështetjen e përbashkët të programit të akredituar “Akademia Financiare – Aftësi menaxheriale financiare dhe administrative për organizatat civile”. Në kuadër të kësaj nisme, MAPAS do t’i bashkohet Akademisë me një ligjërues ekspert në një nga modulet, me temë:
“Kursimi dhe investimi afatgjatë si bazë për siguri financiare dhe jetë cilësore”.

Gjithashtu, në bashkëpunim me Fakultetin Ekonomik – Shkup, MAPAS së bashku me tre shoqëritë pensionale – KB Shoqërija e parë pensionale AD Shkup, SAVA Shoqërija pensionale AD Shkup dhe TRIGLAV Shoqërija pensionale AD Shkup – do të zhvillojnë një komunikim interaktiv me studentët e Katedrës së Financave, kushtuar Javës Globale të Parasë, rëndësisë së sistemit pensional, investimit afatgjatë dhe rolit të fondeve pensionale në sigurimin e stabilitetit financiar në të ardhmen.

Bazuar në Memorandumin e bashkëpunimit me Fakultetin Ekonomik – Shkup, në kuadër të Javës Globale të Parasë do të mbahet edhe një takim koordinues për zbatimin e projektit edukativ për studentë “Young Pension Investor Challenge”, që synon përmes një qasjeje praktike dhe interaktive të nxisë interesin e të rinjve për investim afatgjatë dhe ndërtimin e sigurisë financiare.

Në organizim të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Java Globale e Parasë shënohet që nga viti 2012, me një ndërprerje të vetme në vitin 2020 për shkak të pandemisë. Deri më tani, ajo është realizuar në më shumë se 176 vende të botës, me përfshirjen e mbi 32.000 organizatave dhe institucioneve, duke përfshirë më shumë se 71 milionë fëmijë dhe të rinj.

Qëllimi është të forcohet ndërgjegjësimi i të rinjve, që në moshë të hershme, për rëndësinë e edukimit financiar dhe për nevojën që ata të fitojnë njohuri dhe aftësi, si dhe të ndërtojnë qëndrime dhe sjellje të nevojshme për marrjen e vendimeve të mençura financiare dhe për arritjen e mirëqenies dhe qëndrueshmërisë financiare.

Më shumë informacione për Javën Globale të Parasë janë të disponueshme në:
www.globalmoneyweek.org

 

Skip to content