Agjencia për mbikëqyrje të
financimit kapital të sigurimit pensional

Qëndrime dhe opinione

Pyetje: Për çfarë qëllimi shoqëria pensionale mund të marrë hua në emër dhe për llogari të fondit pensional të detyrueshëm dhe/ose vullnetar?

Qëndrimi i Agjencisë për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional

Në përputhje me nenin 113 të Ligjit për sigurimin pensional të detyrueshëm me financim kapital dhe nenin 141 të Ligjit për sigurimin pensional vullnetar me financim kapital, shoqëria pensionale mund të marrë hua në emër dhe për llogari të fondit pensional të detyrueshëm dhe/ose vullnetar, ekskluzivisht për përmirësimin e likuiditetit të fondit pensional të detyrueshëm dhe/ose vullnetar. Në përputhje me dispozitat e sipërpërmendura, shoqëria mund të marrë hua në emër dhe për llogari të fondit pensional të detyrueshëm/vullnetar, ekskluzivisht për përmirësimin e likuiditetit të fondit pensional, përkatësisht ekskluzivisht për pagesën në kohë të detyrimeve të maturuara të fondit pensional ndaj anëtarëve të tij, dhe jo për blerjen e instrumenteve financiare.

Pyetje: Kur bëhet fjalë për llogaritjen e pensionit familjar të përkohshëm dhe, nëse nuk është përcaktuar se për çfarë periudhe duhet të paguhet pensioni familjar, a duhet shoqëria pensionale të bëjë dy llogaritje për pensionin familjar të përkohshëm, një deri në moshën 15 vjeç dhe një deri në moshën 26 vjeç të përfituesit, apo duhet të bëjë vetëm një llogaritje deri në momentin kur përfituesi të mbushë 26 vjeç?

Qëndrimi i Agjencisë për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional

Duke pasur parasysh Ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor, Ligjin për pagesën e pensioneve dhe kompensimeve pensionale nga sigurimi pensional me financim kapital dhe praktikën e vendosur, nuk është e nevojshme të bëhen dy llogaritje për pensionin familjar të përkohshëm, pasi e njëjta mund të shkaktojë konfuzion te përfituesi i pensionit familjar, përkatësisht, si bazë për llogaritjen e pensionit familjar duhet të merret afati më i gjatë i përcaktuar me legjislacionin, përkatësisht 26 vjeç. Një nga arsyet për të cilat nuk duhet të bëhet llogaritje deri në moshën 15 vjeç është edhe fakti se është vendosur arsimi i mesëm i detyrueshëm.

Pyetje: A mundet shoqëria pensionale, gjatë kryerjes së aktiviteteve të marketingut, të përdorë faqen e internetit të grupacionit të cilit i përket, në vend që të ketë një faqe të veçantë interneti?

Qëndrimi i Agjencisë për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional

Në interes të informimit të duhur të anëtarëve dhe anëtarëve në pension të fondeve pensionale, shoqëria pensionale duhet të ketë faqen e saj të internetit, të ndarë nga faqet e internetit të shoqërive të tjera aksionare, pjesëtare të të njëjtit grupacion. Askush, përveç shoqërisë pensionale të themeluar në përputhje me Ligjin për sigurimin pensional të detyrueshëm me financim kapital ose në përputhje me Ligjin për sigurimin pensional vullnetar me financim kapital, nuk mund të kryejë veprimtari marketingu të fondit pensional të detyrueshëm dhe/ose vullnetar.

Pyetje: A duhet, gjatë përcaktimit të zëvendësimit të personave përgjegjës për vendimet e investimeve, llogaritjen e tërheqjeve të programuara, menaxhimin e rreziqeve, auditimin e brendshëm, llogaritë individuale, marketingun dhe kontrollin e agjentëve, të zhvillohet procedurë për miratim pranë Agjencisë për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional?

Qëndrimi i Agjencisë për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional

Me Ligjin për sigurimin pensional të detyrueshëm me financim kapital dhe Ligjin për sigurimin pensional vullnetar me financim kapital është përcaktuar detyrimi i shoqërisë pensionale të emërojë persona përgjegjës për vendimet e investimeve, llogaritjen e tërheqjeve të programuara, menaxhimin e rreziqeve, auditimin e brendshëm, llogaritë individuale, marketingun dhe kontrollin e agjentëve. Emërimi i këtyre personave është objekt i miratimit nga Agjencia për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional, në mënyrën dhe procedurën e përcaktuar në Rregulloren për mënyrën dhe procedurën e dhënies së miratimeve për ndryshimet e dokumenteve të dorëzuara gjatë licencimit. Prandaj, në çdo ndryshim të personave përgjegjës, shoqëria pensionale është e detyruar të kërkojë miratim nga Agjencia.

Pyetje: Nëse punëdhënësi pas fillimit të procedurës së likuidimit fshihet nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, çfarë ndodh me mjetet e pjesëmarrësve në skemën pensionale?

Qëndrimi i Agjencisë për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional

Nëse një person juridik, i cili ka një skemë pensionale profesionale, fshihet nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë likuidimit, vendimi për fshirjen e personit juridik nga regjistri përmes likuidimit është bazë për përfundimin e skemës pensionale profesionale. Mjetet e pjesëmarrësve në skemën pensionale profesionale transferohen nga llogaria profesionale ekzistuese në llogarinë e ardhshme profesionale të skemës pensionale profesionale të organizuar nga një punëdhënës tjetër. Nëse personi nuk bëhet pjesëmarrës i një skeme pensionale profesionale te një punëdhënës tjetër, mjetet nga llogaria e tij profesionale ekzistuese transferohen në llogarinë e tij individuale vullnetare ose shoqëria i hap një llogari individuale vullnetare.

Pyetje: A mundet një anëtar i fondit pensional të detyrueshëm ose vullnetar të autorizojë një përfaqësues me prokurë, i cili në emër dhe për llogari të tij do të lidhë kontratë për pagesën e pensionit ose të kompensimit pensional?

Qëndrimi i Agjencisë për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional

Anëtari i fondit pensional mund të autorizojë një përfaqësues me prokurë, i cili në emër dhe për llogari të tij do të lidhë kontratë për pagesën e pensionit ose të kompensimit pensional.

 

Skip to content