Në kuadër të shënimit të Global Money Week (Javës Globale të Parasë), përfaqësues nga Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimit Nacional Pensional me Financim Kapital (MAPAS), së bashku me përfaqësues nga shoqëritë pensionale “KB Prvo penzisko drushtvo”, “Sava penzisko drushtvo” dhe “Triglav penzisko drushtvo”, mbajtën një takim me kuadrin mësimdhënës dhe realizuan një punëtori interaktive në SHFK „Shën Klimenti i Ohrit“ në Komunën e Butelit.
Ngjarja ishte e fokusuar drejt avancimit të shkrim-leximit financiar tek të rinjtë, përmes komunikimit direkt me arsimtarët dhe nxënësit.
Në kuadër të punëtorisë, me kuadrin mësimdhënës u diskutua mbi gjetjet nga Analiza për shkrim-leximin financiar në arsimin fillor, e përgatitur dhe e publikuar nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, e cila jep pasqyrë mbi shkallën e përfaqësimit të edukimit financiar në procesin mësimor.
Fokus i veçantë iu kushtua:
- Mënyrës dhe shpeshtësisë së integrimit të temave financiare në mësimdhënie;
- Interesit dhe angazhimit të nxënësve;
- Sfidave me të cilat ballafaqohen arsimtarët;
- Si dhe nevojës për burime shtesë dhe mbështetje.
Përmes diskutimit të hapur, arsimtarët ndanë përvoja praktike, me ç’rast u theksua se, ndonëse edukimi financiar është prezent në përmbajtje të caktuara mësimore, aplikimi i tij praktik shpesh varet nga qasja individuale e arsimtarit dhe mjetet e disponueshme.

Paralelisht, me nxënësit u realizua një sesion interaktiv me temë „Smart Money Talks“, që është motoja kryesore e Global Money Week 2026. Në sesion u bisedua për menaxhimin e mençur të parave, rëndësinë e kursimit dhe investimit, si dhe për perceptimet e tyre mbi pagat e prindërve dhe arsimtarëve, si dhe për pensionet e gjyshërve të tyre.
Nxënësit treguan interes të lartë, veçanërisht për shembujt praktikë dhe realë të jetës – nëse disponojnë buxhet personal (para xhepi), si i shpenzojnë ato, nëse kursejnë dhe nëse bisedojnë për këto tema me prindërit dhe arsimtarët e tyre.
Përmes aktiviteteve të tilla, MAPAS konfirmon përkushtimin e saj drejt avancimit të shkrim-leximit financiar dhe forcimit të bashkëpunimit me sistemin arsimor.
Analiza-za-finansiskata-pismenost-vo-osnovnoto-obrazovanie-file-JfsW.pdf
(02) 3224 229
contact@mapas.mk