
Shkup, 2025 – Në SGGUS “Zdravko Cvetkovski” në Shkup sot u mbajt ngjarja qendrore me rastin e shënimit të Ditës së vetëdijësimit pensional – 15 shtator, e organizuar nga Agjencia për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional (MAPAS). Ngjarja iu kushtua të rinjve dhe edukimit të tyre për funksionimin e sistemit pensional, me qëllim që në moshë të hershme të krijohet kulturë e informimit dhe përgjegjësisë ndaj së ardhmes.
Para nxënësve dhe profesorëve të pranishëm foli sekretari shtetëror në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, i cili theksoi se vetëdijësimi pensional nuk është diçka e largët, por pjesë thelbësore e së tashmes.
„Të flasësh për vetëdijësimin pensional në një mjedis shkollor do të thotë të flasësh për të ardhmen, për përgjegjësinë që ndërtohet që në vitet më të hershme. Pensioni nuk është vetëm një numër në letër, as fundi i jetës së punës – ai është pasqyrë e gjithë punës jetësore dhe e besimit që e investojmë në shoqëri. Nxënësit e sotëm janë profesionistët e ardhshëm, bartësit e ekonomisë dhe institucioneve, por edhe përdoruesit e ardhshëm të sistemit që së bashku e ndërtojmë. E ardhmja e sigurt nuk dhurohet – ajo ndërtohet,“ theksoi Sabriu.
Një mesazh dërgoi edhe kryetari i Këshillit të ekspertëve të MAPAS, Remzi Bajrami, i cili nënvizoi se tema e pensioneve është po aq e rëndësishme për të gjitha gjeneratat.
„Pensioni nuk është temë vetëm për gjeneratat më të vjetra. Është çështje për të gjithë ne, sepse sa më herët të fillojmë të mendojmë për të ardhmen, aq më shumë mundësi kemi të ndërtojmë një jetë stabile dhe të sigurt. Sistemi pensional ekziston për të siguruar jetë dinjitoze pas përfundimit të jetës së punës, por që ky sistem të mbetet i fortë dhe i qëndrueshëm është me rëndësi edhe ju, si gjeneratat e ardhshme që do të punoni dhe krijoni, të kuptoni se si funksionon. Kështu do ta dini se puna dhe investimet tuaja do t’ju kthehen dhe një ditë do t’ju sjellin siguri dhe qetësi. Vetëdijësimi juaj pensional është themel i një të ardhme stabile dhe të drejtë,“ theksoi Bajrami.
Petar Talevski, anëtar i Bordit drejtues të Shoqërisë Pensionale Sava, duke folur në emër të të gjitha shoqërive pensionale, theksoi se misioni i tyre është të sigurojnë investime të sigurta dhe të menaxhuara profesionalisht, por edhe të edukojnë dhe të nxisin sa më shumë qytetarë të mendojnë për të ardhmen e tyre.
„Sot, më shumë se kurrë, është me rëndësi të kuptojmë se një sistem pensional stabil nuk ndërtohet vetëm me kontribute të detyrueshme, por me vetëdije, përgjegjësi dhe proaktivitet,“ potencoi Talevski.
Ngjarja qendrore u pasurua me edukim interaktiv për nxënësit, me shembuj praktikë për mënyrën se si funksionon sistemi pensional, ndërsa për ndjekësit më të vëmendshëm u organizua edhe kuiz me shpërblime. Aktivitetet ngjallën interesim të madh te të rinjtë, të cilët me pyetje dhe komente e dëshmuan dëshirën e tyre për të mësuar dhe për t’u informuar.
Shënimi i Ditës e vetëdijësimit pensional – 15 shtator filloi që javën e kaluar me ligjërata në disa shkolla të mesme në vend – “Cvetan Dimov” dhe “Mihajlo Pupin” në Shkup, “Moshe Pijade” në Tetovë dhe “Kosta Susinov” në Radovish. Në këto orë edukative morën pjesë rreth 300 nxënës, të cilët patën mundësi në mënyrë interaktive të mësonin cili është roli i MAPAS-it dhe si ta kuptojnë rolin e tyre në sistemin pensional.
Përveç aktiviteteve shkollore, më 14 shtator në Parkun e Qytetit në Shkup u organizua një aktivitet i madh informues për qytetarët, ku të pranishmit patën mundësi të bisedojnë drejtpërdrejt me përfaqësues të MAPAS dhe të shoqërive pensionale, të marrin informata për të drejtat dhe mundësitë e tyre në sistemin pensional dhe të parashtrojnë pyetje për temat që i interesojnë. Ngjarja u pasurua me muzikë, aktivitete argëtuese, program kreativ për më të vegjlit dhe një kuiz dijesh me mbi 180 shpërblime të ndara.
Me këtë koncept u mundësua një atmosferë e këndshme dhe joformale në të cilën qytetarët morën informata të dobishme, ndërsa njëkohësisht u argëtuan dhe u shoqëruan.
Me të gjitha këto aktivitete, MAPAS e theksoi rëndësinë thelbësore të edukimit dhe informimit me kohë për sistemin pensional – si tek të rinjtë, ashtu edhe tek qytetarët e rritur. Vetëdijësimi pensional është çelës për një të ardhme stabile dhe të sigurt, ndërsa informacionet e sakta dhe planifikimi i përgjegjshëm janë mënyra më e mirë që secili njeri të sigurojë ditë pensionale dinjitoze.
Agjencia për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional – MAPAS
(02) 3224 229
contact@mapas.mk