Agjencia për mbikëqyrje të
financimit kapital të sigurimit pensional

U mbajt mbledhja e Komitetit për Stabilitetin Financiar: Stabiliteti financiar është ruajtur

Stabiliteti financiar është ruajtur, ndërsa sistemi financiar vazhdon të tregojë rezistencë të mirë dhe aftësi për të përballuar sfidat. Këto vlerësime u dhanë në mbledhjen e Komitetit për Stabilitetin Financiar, të mbajtur në Bankën Popullore, në të cilën morën pjesë: Trajko Slaveski, guvernator i Bankës Popullore, Gordana Dimitrieska-Koçoska, ministre e Financave, Bujare Abazi, kryetare e Komisionit për letra me vlerë, Remzi Bajrami, kryetar i Agjencisë për Mbikëqyrjen e Financimit Kapital të Sigurimit Pensional (MAPAS), dhe Eli Drakulovska, kryetare e Këshillit të Ekspertëve në Agjencinë për Mbikëqyrjen e Sigurimeve.

Ambienti makroekonomik është më i favorshëm, por ende mbetet i pasigurt. Pasiguria tregtare, tensionet gjeopolitike, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dhe të papriturat në politikat ekonomike krijojnë rreziqe të shtuar për ekonominë globale, dhe indirekt edhe për ekonominë vendase. Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, vendi ynë është i ndjeshëm ndaj tronditjeve të jashtme. Megjithatë, efektet e këtyre rreziqeve deri tani vlerësohen si të kufizuara, ndërsa qëndrueshmëria e sistemit financiar ndaj tronditjeve është përforcuar ndjeshëm.

Në tremujorin e tretë të vitit 2025, sektori bankar ka ruajtur stabilitetin dhe pa pengesa ka bërë ndërmjetësimin financiar. Bankat punuan në një ambient më të qëndrueshëm, por ende kishte pasiguri lidhur me barrierat tregtare dhe politikat globale. Gjatë kësaj periudhe u shënua një aktivitet më i lartë i kredive dhe depozitave, i shoqëruar me një ulje të mëtejshme të euroizimit të bilanceve të bankave.

„Sektori bankar disponon me nivel të fortë të solvencës, i cili arrin nivelet më të larta që nga viti 2006, si dhe një likuiditet të kënaqshëm. Cilësia e portofolit të kredive mbetet e qëndrueshme, me ç’rast kreditë jo-funksionale janë reduktuar në nivelin historikisht më të ulët prej 2,3%, dhe nuk pritet përkeqësim i portofolit nga kreditë e ristrukturuara dhe të prolonguara, të cilat janë të vogla në vëllim dhe vazhdojnë të ulen. Fitimi i bankave mbetet i mirë dhe përbën një burim të rëndësishëm për rritjen e mëtejshme të kapitalit të tyre, edhe pse është pak më i ulët krahasuar me periudhën e mëparshme. Masat makroprudenciale të Bankës Popullore vazhdojnë të japin një kontribut të konsiderueshëm për forcimin e solvencës dhe qëndrueshmërisë së sektorit bankar ndaj tronditjeve potenciale“, theksoi guvernatori dr. Trajko Slaveski.

„Ruajtja e stabilitetit të sistemit financiar në tërësi është veçanërisht e rëndësishme për realizimin e politikave ekonomike që zbaton Qeveria dhe Ministria e Financave. Për këtë qëllim, merren masa dhe kryhen aktivitete për përmirësimin e legjislacionit, duke përfshirë edhe shoqëritë financiare dhe shoqëritë e lizingut, me qëllim lehtësimin e aksesit në financim dhe mbrojtjen e konsumatorëve“, tha ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.

„Komisioni i Letrave me Vlerë vazhdimisht forcon qasjen rregullatore dhe mbikëqyrëse ndaj tregut të kapitalit, ku kapitalizimi total i tregut të aksioneve dhe obligacioneve më date 30.11.2025 arrinte 378,5 miliardë denarë, ndërsa indeksi MBI-10 shënon një rritje prej afërsisht 12% në bazë vjetore. Ndërkohë, vlera neto e mjeteve të fondeve të investimeve më date 30.11.2025 arriti në 28,5 miliardë denarë, që përbën një rritje prej 47% krahasuar me vitin e kaluar. Në kushte të rritjes së varësisë dixhitale të institucioneve financiare, Komisioni të Letrave me Vlerë do të vazhdojë të përkushtohet në përmirësimin e qëndrueshmërisë dixhitale të infrastrukturës kritike të tregut, si një kusht paraprak për integritet afatgjatë dhe përparim të tregut të kapitalit dhe të sistemit financiar në tërësi“, theksoi kryetarja e KLV-së, mr. Bujar Abazi.

Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrjen e Financimit Kapital të Sigurimit Pensional– MAPAS, Remzi Bajrami, theksoi se në kushte të rritjes së pasigurisë në tregjet globale financiare dhe normalizimit gradual të politikave monetare, sigurimi pensional me kapital të financuar vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit financiar përmes investimeve afatgjata dhe të kujdesshme, me ekspozim kryesor në letrat me vlerë shtetërore vendase dhe diversifikim të përshtatshëm gjeografik dhe sektorial. Në të njëjtën kohë, institucionet përgjegjëse, përmes mbikëqyrjes së koordinuar dhe shkëmbimit të informacionit, ndjekin me kujdes rreziqet lidhur me lëvizjet e normave të interesit, inflacionin dhe likuiditetin, për të lehtësuar në kohë rreziqet potenciale sistemore. Për këtë arsye, po punohet në futjen e konceptit të multifondove, si një reformë strukturore që do të mundësojë menaxhim më të harmonizuar të rreziqeve të investimeve sipas ciklit jetësor të anëtarëve, rritjen e të ardhurave afatgjata dhe forcimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë dhe stabilitetit të sistemit pensional.

Në fjalimin e saj, Drakulovska, kryetare e Këshillit të Ekspertëve të ASO-së, përfundoi se tregu i sigurimeve në segmentet e sigurimeve jo-jetësore dhe jetësore në vitin 2025 siguron vazhdimësinë e rritjes. Për nëntë muajt e parë të këtij viti, investimet në sigurime arritën nivelin prej 13,80 miliardë denarë (223,77 milionë euro), që përbën një rritje prej 13,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Në periudhën e njëjtën, kompanitë e sigurimeve paguanin një shumë bruto të dëmeve prej 4,82 miliardë denarë, që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar paraqet një rritje prej 11,4%.

Në pjesën e legjislacionit dhe përafrimit me standardet e BE-së, Drakulovska tha se ASO-ja dhe Ministria e Financave do të përfundojnë aktivitetet e lidhura me hartimin e Ligjit të ri për sigurimet. Po ashtu, ASO-ja ka filluar përgatitjet për zbatimin e standardit ndërkombëtar për raportim financiar MSFI 17. Në pjesën e mbikëqyrjes, ASO-ja do të vendosë më shumë fokus në forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse dhe gradualisht do të zbatojë mbikëqyrje të bazuar në rreziqe.

Komiteti theksoi nevojën për ndjekje të kujdesshme dhe menaxhim të kujdesshëm të rreziqeve nga institucionet financiare, si dhe gjatë drejtimit të politikave ekonomike dhe financiare, si mbështetje për ruajtjen e stabilitetit financiar edhe në periudhën e ardhshme.

         

Skip to content