Agjencia për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional e vazhdoi praktikën e mbajtjes së ligjëratave për studentët e interesuar në fakultetet në shtet dhe më 15.05.2025 ishte mikpritës i studentëve të Universitetit Kolegji Amerikan Shkup. Studentët e studimeve universitare të cilët e dëgjojnë lëndën Tregjet dhe institucionet financiare te profesoresha dr. Maja Parnarxhieva-Zmejkova u njohën me funksionimin e financimit kapital të sigurimit pensional si pjesë e rëndësishme e sektorit financiar në shtet dhe me rolin e Agjencisë si rregullator dhe supervizor i shoqërive pensionale dhe fondeve pensionale.
Gjatë ligjëratës, Darko Sazdov, anëtar i Këshillit të ekspertëve të Agjencisë, i shpjegoi karakteristikat themelore të financimit kapital të sigurimit pensional, e theksoi rolin personal që e kanë qytetarët si anëtarë të fondeve pensionale nëpërmjet marrjes së vendimeve në të gjitha fazat e kursimit pensional – anëtarësimi, akumulimi dhe pagesës, mandej e theksoi rëndësinë e procesit të kapitalizimit të mjeteve, si dhe rolin dhe detyrimin fiduciar të shoqërive pensionale gjatë menaxhimit dhe investimit të mjeteve të fondeve pensionale.
Një pjesë e rëndësishme e ligjëratës iu kushtua funksionimit të Agjencisë, veçanërisht mbikëqyrjes, ku u shpjegua në detaje rrjedha e kontrollit në terren që nga viti 2013 realizohet mbi bazën e vlerësimit të rreziqeve në sigurimin pensional të financuar në mënyrë kapitale. Ky lloj i mbikëqyrjes nënkupton një qasje strukturore në identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve që dalin nga veprimtaria e subjekteve nën mbikëqyrje, si dhe orientimin e burimeve të mbikëqyrjes drejt rreziqeve për të cilat ekzistojnë gjasa më të mëdha të ndikojnë në pensionet e ardhshme të anëtarëve të fondeve pensionale dhe në qëndrueshmërinë e sistemit. Në fund u prezantua edhe vegla për të dhëna statistikore МАПАС-СТАТ, e cila ofron qasje moderne dhe të thjeshtë në të dhëna, vizualizim interaktiv dhe shkarkim të të dhënave nga faqja zyrtare e internetit e Agjencisë, me qëllim përmirësimin dhe mirëmbajtjen e një sigurimi pensional të financuar në mënyrë kapitale që është i qëndrueshëm, transparent dhe i mbështetur nga anëtarësia dhe publiku.
Me këto ligjërata të organizuara nga Agjencia mundësohet përmirësimi i njohurive praktike të studentëve në fushën e ekonomisë dhe financave, nxitja e interesimit të tyre për një karrierë në fushën e sistemit pensional, si dhe zhvillimi i vetëdijes së studentëve për qëllimet dhe parimet e sigurimit pensional të financuar në mënyrë kapitale dhe për të drejtat e tyre si anëtarë të ardhshëm të fondeve pensionale.