Shkup, 15.10.2020 – Ka filluar aksioni vullnetar i MAPAS, kompanive pensionale dhe vullnetarëve, në të cilin nga sot deri më 15 nëntor të këtij viti do të ndihmohen pensionistët duke ua blerë ushqimet e përditshme jetësore, të nevojshme për një jetë normale.
Aksioni vullnetar zhvillohet nën moton “Ndihmo një pensionist sot sepse nesër ti do të kesh nevojë për ndihmë” dhe do të realizohet në territorin e qytetit të Shkupit. Të gjithë pensionistët që duan të jenë pjesë e aksionit dhe të marrin ndihmë, mund të lajmërohen në numrin e telefonit 0800 11 800.
Qëllimi i këtij aksioni është të ndihmojë pensionistët si një nga kategoritë më të prekshme në kohë të lëvizjes së kufizuar për t’u mbrojtur nga përhapja e virusit Covid-19, në sigurimin e ushqimeve ditore. Sigurimi i artikujve ushqimorë për pensionistët e regjistruar në kuadër të aksionit do të bëhet një herë në javë, në komunat në Shkup.
Për të siguruar një mbulim sa më të gjerë të mundshëm të sa më shumë pensionistëve, u organizua një thirrje publike për regjistrimin e vullnetarëve, të cilët do të jenë pjesë e këtij aksioni. Deri më tani kanë aplikuar 80 vullnetarë të cilët së bashku me vullnetarët nga MAPAS dhe kompanitë pensionale do të sigurojnë ushqime për pensionistët nga Shkupi.
Aksioni vullnetar “Ndihmo një pensionist sot sepse nesër ti do të kesh nevojë për ndihmë” është pjesë e fushatës informuese “Koha për të dalë në pension kalon më shpejt sesa mund ta mendosh”, e cila filloi më 15 shtator – Dita e ndërgjegjësimit pensional, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin tek të rinjtë që vendimet e duhura për pensionin e tyre duhet të merren tani, respektivisht me punësimin e tyre të parë, dhe jo para pensionit.