Agjencia për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional – MAPAS, me qëllim të ofrimit të informacioneve të sakta, transparente dhe të kuptueshme për publikun, thekson rëndësinë, mënyrën e funksionimit dhe mekanizmat për mbrojtjen e mjeteve në kuadër të sigurimit pensional me financim kapital, si një komponent i rëndësishëm i sistemit pensional të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sigurimi pensional me financim kapital, përkatësisht shtylla e dytë pensionale, funksionon mbi parimin e kapitalizimit individual të mjeteve. Kjo nënkupton se një pjesë e kontributit të detyrueshëm pensional derdhet në llogarinë individuale të secilit anëtar në një fond të detyrueshëm pensional, ku akumulohen kontributet e paguara dhe fitimet e realizuara nga investimi i tyre, pas zbritjes së kompensimeve të përcaktuara me ligj. Në këtë mënyrë, secili anëtar krijon kursimet e veta pensionale, të cilat, së bashku me pensionin nga shtylla e parë, përbëjnë bazën për sigurimin e të ardhurave gjatë periudhës së pensionimit.
Një nga karakteristikat themelore të këtij sistemi është evidentimi individual dhe ndarja pasurore e mjeteve të anëtarëve. Mjetet e fondeve pensionale nuk janë pronë e shoqërive pensionale që i menaxhojnë ato, por janë pronë e anëtarëve dhe janë plotësisht të ndara nga pasuria e shoqërive pensionale. Ato ruhen në institucione të veçanta – banka kujdestare të pasurisë, të cilat kanë detyrime të përcaktuara me ligj për ruajtjen dhe evidentimin e mjeteve dhe instrumenteve financiare. Kjo ndarje institucionale dhe pasurore përbën një mekanizëm të rëndësishëm për mbrojtjen e kursimeve pensionale dhe siguron që disponimi me këto mjete të bëhet ekskluzivisht në përputhje me rregullat e përcaktuara ligjore dhe në interes të anëtarëve.
Mbrojtja e mjeteve sigurohet më tej përmes kornizës ligjore dhe rregullative, e cila përcakton kushtet për themelimin dhe funksionimin e shoqërive pensionale, rregullat dhe kufizimet për investime, instrumentet financiare të lejuara, diversifikimin e investimeve dhe detyrimet për menaxhimin e rreziqeve. Shoqëritë pensionale janë të detyruara t’i menaxhojnë mjetet në mënyrë profesionale, të ndërgjegjshme dhe në interesin më të mirë të anëtarëve dhe anëtarëve të pensionuar, duke pasur gjithmonë parasysh destinimin e tyre afatgjatë.
MAPAS-i, si institucion i pavarur rregullator dhe mbikëqyrës, në mënyrë të vazhdueshme monitoron dhe kontrollon punën e shoqërive pensionale dhe fondeve pensionale. Mbikëqyrja përfshin monitorimin e ligjshmërisë së veprimtarisë, aktiviteteve investuese, strukturës dhe vlerës së mjeteve, menaxhimit të rreziqeve, gjendjes financiare të shoqërive pensionale, si dhe përmbushjes së detyrimeve ndaj anëtarëve. Përmes mekanizmave rregullatorë dhe mbikëqyrës, MAPAS-i kujdeset që sistemi të funksionojë në përputhje me dispozitat ligjore dhe të mbrohen të drejtat dhe interesat e anëtarëve dhe anëtarëve të pensionuar të fondeve pensionale.
Gjatë vlerësimit të suksesit të sigurimit pensional me financim kapital, është veçanërisht e rëndësishme që fitimet e realizuara të shqyrtohen në një periudhë më të gjatë kohore dhe në kontekstin e funksionimit të përgjithshëm të sistemit. Vlera e mjeteve dhe fitimet nga investimi i tyre mund të ndryshojnë në varësi të lëvizjeve në tregjet financiare, kushteve ekonomike dhe strukturës së investimeve. Për këtë arsye, fitimet në periudha të caktuara afatshkurtra nuk mund të shërbejnë, të vetme, si tregues i plotë i suksesit të sistemit, ndërsa fitimet e ardhshme nuk mund të garantohen paraprakisht. Pikërisht për këtë arsye, menaxhimi profesional, diversifikimi i investimeve dhe mbikëqyrja e vazhdueshme kanë rëndësi të veçantë për menaxhimin e rreziqeve dhe arritjen e rezultateve afatgjata.
Lartësia e mjeteve të akumuluara në llogarinë individuale të secilit anëtar varet, para së gjithash, nga lartësia dhe vazhdimësia e pagesës së kontributeve, kohëzgjatja e anëtarësimit dhe fitimet e realizuara nga investimi i mjeteve. Periudha më e gjatë e kursimit mundëson që fitimet e realizuara të kontribuojnë në rritjen e mëtejshme të mjeteve të akumuluara përmes efektit të kapitalizimit të përbërë. Prandaj, sigurimi pensional me financim kapital ka karakter të theksuar afatgjatë dhe rezultatet e tij duhet të vlerësohen duke marrë parasysh të gjithë periudhën e akumulimit të mjeteve pensionale.
Sistemi pensional është dinamik dhe kërkon monitorim dhe avancim të vazhdueshëm, në përputhje me zhvillimet demografike, kushtet ekonomike, zhvillimin e tregjeve financiare dhe nevojat e anëtarëve. Në këtë drejtim, rëndësi të veçantë kanë avancimi i kornizës investuese, përmirësimi i menaxhimit të rreziqeve dhe përshtatja e strategjive investuese me nevojat e ndryshme të anëtarëve, në varësi të moshës dhe periudhës deri në pensionim. Ndryshimet e propozuara ligjore, me të cilat parashihet futja e disa portofolave investues – rritës, të balancuar dhe konservativ, përfaqësojnë një hap drejt modernizimit të mëtejshëm të sistemit. Kjo qasje mundëson përshtatjen e strategjisë investuese me moshën, horizontin kohor deri në pensionim dhe nivelin përkatës të rrezikut investues, ndërsa zbatimi i modelit të ri do të varet nga miratimi dhe hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore.
MAPAS-i thekson se sigurimi pensional me financim kapital dhe sigurimi pensional i bazuar në solidaritetin ndërmjet gjeneratave janë pjesë të ndërlidhura të sistemit pensional. Funksioni i tyre i përbashkët është të sigurojnë një bazë më të gjerë për realizimin e të drejtave të ardhshme pensionale dhe diversifikimin e burimeve të të ardhurave pensionale. Për këtë arsye, çdo avancim i mëtejshëm i sistemit pensional duhet të mbështetet në analiza gjithëpërfshirëse profesionale dhe aktuariale, projeksione afatgjata dhe vlerësim të kujdesshëm të ndikimit mbi anëtarët aktualë dhe të ardhshëm, anëtarët e pensionuar, si dhe mbi qëndrueshmërinë e sistemit pensional në tërësi.
MAPAS-i mbetet e përkushtuar ndaj ushtrimit të mbikëqyrjes efikase dhe të pavarur, avancimit të kornizës rregullative dhe informimit transparent të publikut. Ruajtja e besimit në sistemin pensional kërkon përgjegjësi të vazhdueshme nga të gjithë pjesëmarrësit e tij, menaxhim profesional të mjeteve dhe mbrojtje konsekuente të të drejtave dhe interesave të anëtarëve.
Mbrojtja e kursimeve pensionale, menaxhimi i përgjegjshëm i mjeteve dhe interesi afatgjatë i anëtarëve janë parimet themelore mbi të cilat mbështetet funksionimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i sigurimit pensional me financim kapital.
(02) 3224 229
contact@mapas.mk