Trupi Koordinues për Edukim Financiar dhe Përfshirjen Financiare, i kryesuar nga Banka Popullore, ku marrin pjesë përfaqësues të të gjithë rregullatorëve financiar – Banka Popullore, Ministria e Financave, Komisioni i Letrave me Vlerë (KLV), Agjencia për mbikëqyrjen e financimit kapital të sigurimit pensional (MAPAS) dhe Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS), miratuan Kodin e praktikave të mira për edukim financiar. Me këtë vazhdojnë aktivitetet për zbatimin e Strategjisë së parë kombëtare për edukim financiar dhe përfshirjen financiare, të miratuar në korrik të këtij viti.
Duke pasur parasysh numrin në rritje të iniciativave për edukim financiar, si dhe rritjen e numrit të subjekteve të përfshira nga sektori publik, privat dhe ai civil, u paraqit nevoja për të përcaktuar qartë bazat dhe mënyrat për përfshirjen e këtyre subjekteve dhe koordinimin e tyre dhe sigurimin e programeve arsimore efektive që janë në interes të popullatës.
Kodi përcakton parimet të cilat duhet të aplikohen gjatë realizimit të edukimit financiar të popullatës në vend, nga të gjitha subjektet nga sektori publik, privat dhe civil që do të përfshihen në këtë proces. Aty janë të vendosura qëllimet e dëshiruara, parimet që do të aplikohen gjatë realizimit të aktiviteteve të edukimit financiar, fushëveprimin e aktiviteteve, praktikat e mira në drejtim të përmbajtjes dhe trajnerët për edukim financiar, si dhe mënyrën e informimit të rregullatorëve dhe vlerësimin e aktiviteteve.
Kodi bazohet në përvojat më të mira botërore dhe rekomandimet e INFE-OECD dhe synon promovimin dhe kryerjen e një edukimi financiar të një cilësie të lartë dhe të paanshme nga të gjitha palët e përfshira. Me Kodin do të forcohet qasja e koordinuar për edukim financiar, e cila do të kontribuojë në rezultate më të mira dhe më të shpejta në nivel kombëtar.
Në kushte moderne të një sistemi financiar dinamik, edukimi financiar po bëhet gjithnjë e më i nevojshëm për të gjitha moshat dhe për të gjitha shtresat shoqërore të popullatës. Nga aspekti i institucioneve dhe subjekteve nga sektori privat dhe civil që mund të kontribuojnë në këtë fushë, edukimi financiar bëhet pjesë e përgjegjësisë së tyre shoqërore dhe një aspekt i rëndësishëm në ndërtimin e reputacionit të tyre. Prandaj, një qasje e koordinuar do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të veprimtarisë së tyre.
Rregullatorët financiar u bëjnë thirrje të gjitha subjekteve të sektorit privat dhe atij civil që kanë ushtruar ose janë të interesuar të realizojnë aktivitete për edukim financiar për t’u njohur me Kodin, i cili është në dispozicion në lidhjen e mëposhtme: Trupi koordinues për edukim financiar dhe përfshirje financiare, dhe ti bashkangjiten iniciativës për qasje të koordinuar.