
Me qëllim forcimin e edukimit financiar, nxitjen e përfshirjes financiare, rritjen e vetëdijes dhe mbrojtjes së konsumatorëve gjatë përdorimit të produkteve dhe shërbimeve financiare në kushtet e sotme të digjitalizimit të sektorit financiar nga 25 nëntori deri më 4 dhjetor, do të zhvillohen një sërë aktivitetesh në kuadër të edicionit të nëntë të Ditëve të edukimit financiar.
Duke shënuar Ditët e edukimit financiar, Agjencia për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional – MAPAS, do të realizojë katër ligjërata për të rinjtë e punësuar në dy kompani private dhe dy institucione shtetërore.
Me qëllim që tek të rinjtë në kohë të rritet edukimi financiar për menaxhimin e përgjegjshëm të mjeteve personale, MAPAS-i ka nënshkruar marrëveshje me SHMSHAD “Lazar Liçenoski” – Shkup dhe QSHSHMB “Ilija Nikollovski–Luj” – Shkup, në kuadër të së cilës nxënësit e këtyre shkollave do të përgatisin punime tematike që do të prezantohen në ngjarjen qendrore që do të mbahet më 3 dhjetor në Qendrën Informative Kulturore – Shkup (QIK).
Duke vënë theks tek puna e freelancerëve, të cilët nuk janë automatikisht pjesë e sistemit pensional, MAPAS-i ka realizuar bashkëpunim me tre hapësira coworking, në kuadër të të cilit do të vendosen materiale edukative për kursimin pensional, me theks të veçantë tek shtylla e tretë pensionale, si më atraktivja për këtë kategori punëtorësh.
Shënimi i Ditëve të edukimit financiar zhvillohet për të nëntin vit me radhë, në organizim të institucioneve rregullatore financiare: Bankës Popullore, Ministrisë së Financave, Komisionit për Letrat me Vlerë, Agjencisë për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional – MAPAS dhe Agjencisë për Mbikëqyrjen e Sigurimeve, në bashkëpunim me sektorin financiar privat dhe shoqatat qytetare.
Institucionet e përfshira, përmes faqeve të tyre zyrtare në internet dhe profileve në rrjetet sociale, do të sigurojnë informacione për aktivitetet dhe ngjarjet, si dhe për mënyrën e paraqitjes së interesit për pjesëmarrje nga ana e qytetarëve.
(02) 3224 229
contact@mapas.mk