Gjatë vitit 2022, mjetet e përgjithshme të fondeve të detyrueshme pensionale shënuan rritje të ngadaltë prej 7,46% dhe arritën në 113,54 miliardë denarë. Mjetet e përgjithshme të fondeve pensionale vullnetare shënuan rritje më të ulët në krahasim me mjetet e përgjithshme të fondeve të detyrueshme pensionale, gjegjësisht u rritën për 6,36% dhe arritën në 3,05 miliardë denarë. Kështu, pjesëmarrja e mjeteve të përgjithshme të fondeve pensionale në shtyllën e dytë dhe të tretë në prodhimin bruto vendor mbeti pothuajse në të njëjtin nivel edhe në vitin paraprak (15% e PBV-së). Kështu thuhet në Raportin për gjendjet në financimin kapital të sigurimit pensional në vitin 2022, që u miratua nga Këshilli i ekspertëve i Agjencisë për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional.
Gjatë vitit 2022, fondet pensionale u përballën me një mjedis të pasigurt makroekonomik dhe financiar. Zhvillimet aktuale në lidhje me konfliktin ushtarak ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë patën një ndikim negativ në fondet pensionale me kontribute të përcaktuara, si jashtë vendit ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, mjetet e fondeve pensionale të Maqedonisë nuk janë të ekspozuara drejtpërdrejt ndaj Ukrainës dhe Rusisë dhe në përgjithësi i ndjejnë pasojat në mënyrë indirekte, përmes presioneve të inflacionit, normave më të larta të kamatës dhe rritjes më të ulët ekonomike, kryesisht për shkak të paqëndrueshmërisë dhe luhatshmërisë së tregjeve financiare.
Shoqëritë pensionale i investuan kontributet e paguara dhe mjetet e akumuluara duke iu përmbajtur kornizës rregullatore dhe kufizimeve maksimale të investimeve. Megjithëse struktura e investimeve të mjeteve pensionale në vitin 2022 nuk ndryshon shumë në krahasim me vitin 2021, vërehet një rritje e lehtë e pjesëmarrjes së obligacioneve për llogari të pjesëmarrjes së depozitave, aksioneve dhe fondeve investuese. Portofoli investues i fondeve të detyrueshme pensionale në vitin 2022 përbëhet nga investimet vendore që përfshijnë letrat shtetërore me vlerë (63,12%), depozitat (5,47%), aksionet (2,20%), pjesëmarrjet në fondet investuese (0,11%) dhe obligacionet korporative (0,02%). ), si dhe investimet jashtë vendit, të cilat përfshijnë investime në pjesëmarrje të fondeve investuese (24,13%), aksione (3,57%) dhe obligacione të huaja shtetërore (0,82%).
Fillimi i punës së fondit të katërt pensional vullnetar nuk ndikoi shumë në strukturën e përgjithshme të investimeve të fondeve pensionale vullnetare, duke pasur parasysh faktin se në vitet fillestare të punës, fondi i ri ende disponon me mjete që janë me vëllim të vogël në krahasim me mjetet e përgjithshme të fondeve pensionale vullnetare. Portofoli i investimeve në vitin 2022 përbëhet nga investime vendore që përfshijnë letra shtetërore me vlerë (54,21%), depozita (9,45%), aksione (6,26%), obligacione korporative (0,68%) dhe një pjesë shumë të vogël në pjesëmarrje në fondet investuese (0,02%), si dhe investimet jashtë vendit, që përfshijnë investimet në pjesëmarrje të fondeve investuese (22,55%), aksione (4,69%) dhe obligacione të huaja shtetërore (0,91%).
Megjithatë, zhvillimet globale ndikuan edhe në uljen e të ardhurave të përllogaritura për një periudhë shtatëvjeçare në vitin 2022. Rritja e ndryshimit të nivelit të kostos së jetesës në nivel vjetor ndikon dukshëm në uljen e shumave të të ardhurave në shumë reale në vitin 2022. Në nivelin e financimit të detyrueshëm kapital të sigurimit pensional, në periudhën shtatëvjeçare 2016 – 2022, u realizuan të ardhura mesatare në nivel vjetor prej 4,52% në shumë nominale, përkatësisht 0,50% në shumën reale, të përllogaritur përmes ndryshimit të mesatares së ponderuar të njësive të kontabilitetit të fondeve të detyrueshme pensionale Në nivel të financimit kapital vullnetar të sigurimit pensional, në periudhën shtatëvjeçare 2016 – 2022, u realizuan të ardhura mesatare në nivel vjetor prej 4,64% në shumë nominale, përkatësisht 0,61% në shumë reale, të përllogaritur përmes ndryshimit të mesatares së ponderuar të njësive të kontabilitetit të fondeve pensionale vullnetare.
Pasiguria financiare dhe ekonomike globale në vitin 2022 i zhvendosi trendët rritës të parametrave të financimit të detyrueshëm dhe vullnetar të sigurimit pensional, por fondet pensionale janë ende në fazën e akumulimit dhe këto ndikime pritet të tejkalohen në vitet në vijim.
Në vitin 2022, u rrit edhe përfshirja e popullsisë në shtyllën e dytë me trend të ngjashëm si vitin paraprak (4% krahasuar me vitin 2021) dhe u arrit pjesëmarrje prej 71% në popullsinë e përgjithshme aktive. Megjithëse shënoi rritje më të madhe në krahasim me shtyllën e dytë, prapëseprapë pjesëmarrja e popullsisë në shtyllën e tretë është ende shumë e vogël, përkatësisht rreth 3.7% e popullsisë së përgjithshme aktive në RMV janë anëtarë me llogari individuale vullnetare ose janë pjesëmarrës në skemë pensionale me llogari profesionale në fond pensional vullnetar.
Viti 2022 shënoi edhe rritje të numrit të subjekteve në tregun e financimit kapital të sigurimit pensional. Në gusht të vitit 2022, pas lejes së lëshuar nga MAPAS, filloi me punë shoqëria e katërt pensionale, VFP SHOQËRIA PENSIONALE SHA SHKUP, e cila menaxhon vetëm me fond pensional vullnetar dhe në tetor 2022, u bë pagesa e parë e kontributit vullnetar në Fondin e hapur pensional vullnetar VFP – Shkup. Me këtë financimi kapital i sigurimit pensional numëron gjithsej katër shoqëri pensionale, tre prej të cilave menaxhojnë nga një fond të detyrueshëm pensional dhe një fond pensional vullnetar, dhe nga një fond pensional vullnetar dhe një shoqëri pensionale menaxhon një fond pensional vullnetar.
Raportin për gjendjet në financimin kapital të sigurimit pensional në vitin 2022 mund ta lexoni dhe shkarkoni në linkun e mëposhtëm:
https://mapas.mk/wp-content/uploads/2023/06/izveshtaj-kfpo_2022_web.pdf