Agjencia për mbikëqyrje të
financimit kapital të sigurimit pensional

Mbahet mbledhja e Komitetit për Stabilitet Financiar: Sektori financiar është rezistent ndaj goditjeve

Sektori financiar i brendshëm u përball mirë me sfidat globale ndërsa edhe një herë tregoi se është rezistent ndaj goditjeve dhe ka kapacitet për të përballuar krizat, ky është përfundimi i Raportit të Stabilitetit Financiar për vitin 2022. Në mbledhjen e Komisionit për Stabilitet Financiar të mbajtur më 27 nëntor, u prezentua Raporti për stabilitetin financiar në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2022, ndërsa u rishikuan edhe aktivitetet që duhet të ndërmerren për zbatimin e Ligjit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

Në mbledhjen e Komitetit, duke i rishikuar treguesit për segmente të ndryshme të sektorit financiar në vitin 2022, u theksua se stabiliteti financiar është ruajtur me sukses, pavarësisht kushteve komplekse të funksionimit të sistemit financiar. Totali i aktiveve të sistemit financiar është rritur edhe në vitin 2022, por në mënyrë të moderuar. Rritja totale e kredisë ishte 9,4%, që siguroi mbështetje solide kreditore edhe për sektorin e korporatave, i cili shënoi rritje prej 11,5%, dhe për popullsinë me rritje për 7,3%. Këto norma të rritjes së kredisë janë dukshëm më të larta se ato të BE-së ku janë  4,8%, 6,4% dhe 3,8%, respektivisht. U arrit në përfundimin se mundësia e përhapjes së rrezikut është ende e kufizuar ndërmjet segmenteve të veçanta të sistemit në kushtet e ruajtjes së strukturës së thjeshtë të sistemit financiar, ndërvarësisë së ulët dhe mungesës së instrumenteve financiare më komplekse. Rezultatet e stres testit si dhe vlerësimet dhe simulimet e veçanta për ekspozimin e segmenteve të veçanta të sistemit financiar të rrezikut të ndryshimeve në normat e interesit të përfshira në Raport, tregojnë se sistemi financiar i brendshëm ka kapacitetin për të përballuar goditjet me intensitet më të madh.

Realizimet e sektorit të korporatave në vitin 2022 ishte solide, ku pothuajse të gjitha aktivitetet nga sektori i korporatave kishin rritje të të ardhurave operative dhe përmirësim të profitabilitetit. Profitabiliteti i sektorit të korporatave u rrit me 19,8%, pas rritjes prej 32,1% në vitin 2021. Treguesit për konkurrencën tregojnë gjithashtu për përmirësimin e produktivitetit të sektorit të korporatës që është në rritje, dhe kjo u përshpejtua për të dytin vit radhazi. Megjithatë, rreziku i likuiditetit vazhdon të jetë burimi kryesor i rrezikueshmërisë për sektorin e korporatave vendase, pavarësisht përmirësimit të arritur në efikasitetin operacional në vitin 2022.

Treguesit financiarë tregojnë gjithashtu përmirësim të disiplinës financiare, në kushtet e përshpejtimit të pagesës së detyrimeve dhe shlyerjes më të shpejtë të kërkesave të kompanive. Nevojat për likuiditet të kompanive në masë të madhe u mbuluan nga rritja e mbështetjes kreditore të bankave, ku krahas kredive afatgjata të cilat zakonisht kanë kontribut më të madh, në vitin 2022 është përforcuar edhe kreditimi afatshkurtër.

Megjithatë, u theksua se mjedisi i pasigurt makroekonomik mund të jetë burim i dobësisë për sektorin financiar. Për rrjedhojë, është akoma më e rëndësishme të forcohet vazhdimisht rezistenca e sektorit bankar dhe atij financiar në tërësi, dhe ky është qëllimi themelor i mandatit makroprudencial të rregullatorëve financiarë të parashikuar me Ligjin e ri për Stabilitetin Financiar dhe masat makroprudenciale që mund të ndërmerren.

Skip to content