Pranvera Suma, anëtare e Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional me Financim Kapital – MAPAS, mori pjesë në panelin në kuadër të diskutimit panelistik me temë “Rrugëtimi yt, e ardhmja jote”, i cili u mbajt më 11 nëntor 2026, në hotelin “Marriott” në Shkup.
Diskutimi panelistik iu kushtua temës “Fondet pensionale si nxitës të investimeve dhe zhvillimit ekonomik”. Krahas Pranvera Sumës nga MAPAS-i, në panel morën pjesë edhe prof. Vladimir Filipovski, Vesna Stojanovska, drejtoreshë e Shoqërisë Pensionale KB Shoqeria e parë, si dhe Goran Markovski nga KB Invest. Moderator i panelit ishte prof. dr. Borçe Trenovski.
Në kuadër të diskutimit u trajtuan disa çështje të rëndësishme që lidhen me funksionimin dhe zhvillimin e ardhshëm të sigurimit pensional me financim kapital, realizimin e kthimeve nga investimet dhe sigurinë e kursimeve pensionale, rregullat dhe mundësitë për investimin e mjeteve të fondeve pensionale, si dhe potencialin e tyre për mbështetjen e ekonomisë vendore dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të rregullatorit dhe mbikëqyrësit në sigurimin e një ekuilibri të përshtatshëm ndërmjet mundësive për investim dhe mbrojtjes së interesave të anëtarëve të fondeve pensionale. Në këtë drejtim, u shqyrtuan edhe çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin e mundësive për investime, menaxhimin e rreziqeve, si dhe nevojën për rregulla të qarta dhe të parashikueshme, të cilat do të sigurojnë menaxhim të sigurt dhe të përgjegjshëm të mjeteve pensionale.
Në pjesën përmbyllëse të panelit u diskutua edhe për të ardhmen e investimeve pensionale, përfshirë mundësitë e krijimit të portofolëve të ndryshëm investues, të përshtatur sipas nevojave dhe moshës së anëtarëve, si dhe për rëndësinë e edukimit financiar dhe informimit të qytetarëve gjatë marrjes së vendimeve që lidhen me kursimet e tyre pensionale.
Pjesëmarrja e Pranvera Sumës, anëtares së Këshillit të Ekspertëve të MAPAS-it, në diskutime të tilla profesionale përfaqëson një mundësi për shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave me përfaqësues të komunitetit akademik dhe sektorit financiar, si dhe për trajtimin e çështjeve me rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit pensional.
MAPAS-i, në kuadër të kompetencave të tij, vazhdon të avancojë mbikëqyrjen dhe të angazhohet për menaxhim transparent, të përgjegjshëm dhe të sigurt të mjeteve të anëtarëve të fondeve pensionale, duke pasur gjithmonë parasysh interesin e tyre më të mirë.

(02) 3224 229
contact@mapas.mk