Agjencia për mbikëqyrje të
financimit kapital të sigurimit pensional

U nënshkrua memorandumi për bashkëpunim mes BP dhe MAPAS-it- efikasitet më i lartë në ruajtjen e stabilitetit financiar

Përforcimi i bashkëpunimit mes Bankës Popullore dhe Agjencisë për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional  (MAPAS), kontribuon në efikasitet më të lartë të rregullatorëve në analizën dhe vlerësimin e stabilitetit financiar. Kjo u theksua në takimin e sotëm mes Guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska dhe Kryetarit të Këshillit të Ekspertëve të MAPAS-it, Maksud Ali, me nënshkrimin e memorandumit për bashkëpunim mes dy institucioneve.

Rritja e bashkëpunimit mes Bankës Popullore dhe MAPAS-it është e një rëndësie të madhe duke marrë parasysh lidhjen e sistemit bankar me shoqëritë pensionale, si në bazë të përkatësisë së pronësisë, ashtu edhe në bazë të ofrimit të shërbimeve roje të pronës për fondet pensionale. Kjo lidhje e ngushtë e dy segmenteve të sistemit financiar është faktor për koordinim dhe bashkëpunim më të ngushtë të Bankës Popullore dhe MAPAS-it, për menaxhim më të mirë, përballim me rreziqet e mundshme dhe ruajtje të stabilitetit të sektorit financiar.

Memorandumi parasheh bashkëpunim mes Bankës Popullore dhe MAPAS-it përmes disa grupe  aktivitetesh. Kështu, me memorandumin definohen të dhënat e nevojshme të cilat institucionet do t’i shkëmbejnë: parashihet që rregullisht, në periudhë tremujore, MAPAS-i të pranojë të dhëna mbi bankat nga ana e Bankës Popullore, të cilat agjencia do t’i përdorë në kryerjen e rolit të saj mbikëqyrës mbi fondet pensionale, në anën e mbrojtjes të interesave së të siguruarve. Shkëmbimi i të dhënave synon gjithashtu sigurimin e informacionit të nevojshëm për analizën dhe vlerësimin e stabilitetit financiar dhe raportimin për qëllime statistikore.

Me memorandumin parashikohet organizimi i kontrolleve të përbashkëta të subjekteve me interes të përbashkët të dy rregullatorëve, atëherë kur do të përcaktohet nevoja për kontrolle të tilla. Njëkohësisht, parashikohet bashkëpunim i ndërsjellë në përgatitjen e akteve nënligjore që u referohen subjekteve që janë subjekt i interesit të përbashkët, si dhe gjatë përgatitjes së propozim akteve ligjore, të cilat lidhen me bankat dhe fondet e pensioneve.

Stabiliteti financiar është prioritet dhe detyrim i përbashkët i rregullatorëve financiarë. Në këtë drejtim, Banka Popullore vitin e kaluar ripërtëriti memorandumet e bashkëpunimit si me Komisionin e Letrave me Vlerë ashtu edhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sigurimeve, me qëllim të forcimit të mekanizmave për mbrojtjen e stabilitetit financiar në sistem.

Skip to content