Sistemi pensional në Republikën e Maqedonisë së Veriut është i përbërë nga sigurimi pensional dhe invalidor në bazë të solidaritetit të gjeneratave dhe financimi kapital i sigurimit pensional, i cili u mundëson qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut sigurinë materiale dhe shoqërore.
Struktura e sistemit të pensioneve me shumë shtresa bazohet në tre lloje (shtylla) të sigurimit:
- Sigurimi i detyrueshëm pensional dhe invalidor i bazuar në solidaritetin e gjeneratave (shtylla e parë),
- Sigurimi i detyrueshëm i pensionit me finansim kapital (shtylla e dytë),
- Sigurimi vullnetar i pensionit me finansim kapital (shtylla e tretë).
Sigurimi i detyrueshëm pensional dhe invalidor në bazë të solidaritetit të gjeneratave (shtylla e parë) është sigurim i organizuar sipas parimit të financimit të vazhdueshëm (pay-as-you-go), që do të thotë se personat e siguruar aktual paguajnë për pensionistët aktualë. Kjo shtyllë funksionon në parimin e pensioneve të përcaktuara, respektivisht përmes tij sigurohen pensionet sipas një formule të paracaktuar që varet nga lartësia e pagave dhe stazhi i punës së personit të siguruar. Kjo shtyllë siguron realizimin e të drejtave nga sigurimi pensional dhe invalidor në rast të pleqërisë, invaliditetit dhe vdekjes, që do të thotë se paguhet një pjesë e pensionit të pleqërisë, pastaj pensionit invalidor, pensionit familjar, si dhe shuma më e ulët e pensionit.
Sigurimi i detyrueshëm i pensionit me finansim kapital (shtylla e dytë) është sigurimi i bazuar në kapitalizimin e aseteve, në parimin e kontributeve të përcaktuara, ku ekziston një marrëdhënie e ngushtë dhe varësi midis vëllimit të fondeve të investuara – kontributeve dhe përfitimeve të ardhshme të pensioneve të fituara nga secili person bazuar në ligjet e tregut. Respektivisht, ky lloj sigurimi bazohet në parimin e mbledhjes së fondeve duke paguar kontribute në llogari individuale, fondet e të cilave investohen më tej dhe fitimi i zvogëluar nga kostot operative të sistemit shtohet (akumulohet) në fondet e llogarive individuale.
Çdo person i siguruar mund të zgjedhë vetëm një fond të detyrueshëm pensional. Fondet e investuara investohen në përputhje me rregulloret ligjore të vendosura në mënyrë rigoroze, të cilat sigurojnë mbrojtjen më të lartë të interesave të anëtarëve dhe pasurive të tyre. Në fondet pensionale të detyrueshme, secili anëtar ka llogarinë e tij individuale në të cilën mbahen fondet nga kontributet që secili anëtar alokon nga paga e tij/saj. Fondet e ndara nga paga, së bashku me kthimin e investimit të tyre, i përkasin anëtarit dhe hyjnë në formimin e shumës së pensionit. Anëtarët informohen rregullisht për fondet e tyre të caktuara për ditët e pensionit.
Sigurimi vullnetar i pensionit me finansim kapital (shtylla e tretë) është gjithashtu sigurimi i bazuar në kapitalizimin e aseteve, mbi parimin e kontributeve të përcaktuara, por mbi një bazë vullnetare. Është e rëndësishme për këtë sigurim që ai mund të përfshijë të gjithë personat që duan të sigurojnë një vëllim më të lartë të sigurisë materiale përveç sigurimit të detyrueshëm, si dhe të gjithë personat që nuk janë të mbuluar nga sigurimi i detyrueshëm (në shtyllën e parë dhe të dytë). Për më tepër, shtylla e tretë parashikon krijimin dhe financimin e skemave të pensioneve profesionale.
Çdo person i siguruar mund të ketë një llogari individuale vullnetare në një fond pensioni vullnetar dhe një llogari profesionale në një fond pensioni vullnetar. Fondet e investuara investohen në përputhje me rregulloret ligjore të vendosura në mënyrë rigoroze, të cilat sigurojnë mbrojtjen më të lartë të interesave të të siguruarve dhe pasurive të tyre. Anëtarët informohen rregullisht për fondet e tyre të caktuara për ditët e pensionit.
Pagesa e kontributeve për sigurimin pensional dhe invalidor bëhet nga debitori për pagimin e kontributit, përkatësisht punëdhënësi, në emër të punëmarrësit. Zyra e të Ardhurave Publike kryen mbledhjen e integruar të kontributeve të sigurimeve sociale të detyrueshme (kontributi i sigurimit pensional dhe invalidor, kontributi i sigurimit shëndetësor dhe kontributi i punësimit në rast të papunësisë) dhe tatimin mbi të ardhurat personale.
Për personat e siguruar që janë të përfshirë në sistemin me dy shtylla, Fondi SPIMV shpërndan kontributin e paguar midis shtyllës së parë dhe të dytë. Shuma e kontributit, e cila transferohet në fondin e detyrueshëm të pensionit, është 6% e pagës bruto, ndërsa në Fondin SPIMV mbetet një kontribut në shumën e marrë si diferencë midis kontributit total për sigurimin pensional dhe invalidor dhe kontributit të paguar në fondin e detyrueshëm pensional.
Shkalla e kontributit të shtyllës së dytë që nga fillimi i sistemit
Periudha | Shkalla totale e kontributit për sigurimin pensional dhe invalidor | Shkalla e kontributit e paguar në Fondin SPIMV | Shkalla e kontributit të paguar në fondin e detyrueshëm pensional |
prej 1.1.2006 deri 31.12.2008 | 21,20% | 13,78% | 7,42% |
prej 1.1.2009 deri 31.12.2009 | 19,00% | 12,35% | 6,65% |
prej 1.1.2010 deri 31.07.2012 | 18,00% | 11,70% | 6,30% |
prej 1.8.2012
deri 31.12.2018 |
18,00% | 12,00% | 6,00% |
prej 1.1.2019 | 18,40% | 12,40% | 6,00% |
prej 1.1.2020 | 18,80% | 12,80% | 6,00% |
Pagesa e një kontributi vullnetar, në emër dhe për llogarinë e një anëtari që ka një llogari individuale vullnetare, mund të bëhet nga anëtari dhe/ose paguesi. Pagesa e kontributit vullnetar, në emër dhe për llogarinë e një anëtari që ka një llogari profesionale, mund të bëhet vetëm nga siguruesi. Pagesat bëhen nga llogaria e transaksionit të anëtarit dhe/ose paguesit ose siguruesit. Kontributi vullnetar paguhet në një llogari të veçantë parash të fondit vullnetar, e cila mbahet nga kujdestari i pronës dhe shpërndahet në një llogari vullnetare individuale, ose në një llogari profesionale të anëtarit, në varësi të mënyrës së anëtarësimit dhe pas përmbushjes së kushteve për anëtarësim.
Anëtari, paguesi dhe siguruesi kanë të drejtë të përcaktojnë lirisht shumën e kontributit vullnetar të paguar dhe dinamikën e pagesës, ndërsa ndryshimi i shumës së pagesës, ose ndërprerja e pagesës, nuk ndikon në të drejtën e anëtarësimit në fond, gjegjësisht nuk do të thotë ndërprerje të anëtarësisë. Shuma e kontributeve vullnetare përcaktohet nga siguruesi, për të gjithë pjesëmarrësit në skemën e pensionit profesional, të cilën ai e organizon, e financon dhe e përcakton si përqindje të pagës së anëtarit, i cili përfshihet në skemën e pensionit profesional.