Në vitin 2020 Agjencia për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional – MAPAS iu bashkua angazhimit të përbashkët me rregullatorët financiar, të udhëhequr nga BPRMV, për identifikimin në kohë dhe efikas të rreziqeve sistemike dhe ndërmarrjen e veprimeve për parandalimin dhe zvogëlimin e ndikimit të tyre në sistemin financiar. Në gusht të vitit 2022 hyri në fuqi Ligji për Stabilitet Financiar, përmes së cilit u vendos korniza institucionale për përcaktimin e politikës makroprudenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa në prill 2023 u miratua Strategjia për Zbatimin E Politikës Makroprudenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me këtë ligj, Komiteti për Stabilitet Financiar është institucionalizuar ligjërisht dhe kompetencat u janë caktuar rregullatorëve të sistemit financiar. Në zbatimin e politikës makroprudenciale, MAPAS merr pjesë në punën e Komitetit të Stabilitetit Financiar dhe në nënkomisionet përkatëse.
Në maj të vitit 2024, MAPAS miratoi Strategjinë për Zbatimin e Politikës Makroprudenciale në Sigurimet Pensionale të Financuara nga Kapitali. Strategjia makroprudenciale përcakton qëllimet e ndërmjetme të politikës makroprudenciale dhe lidhet me treguesit bazë të përdorur për identifikimin dhe monitorimin e rreziqeve sistemike dhe instrumentet përkatëse makroprudenciale, përcakton ciklin e zbatimit të politikës makroprudenciale dhe zbatimin e masave makroprudenciale, transparencën dhe mënyrën e komunikimit të masave me publikun, si dhe bashkëpunimin dhe bashkërendimin e politikave.
MAPAS siguron transparencë në zbatimin e politikës makroprudenciale duke informuar në kohë dhe rregullisht publikun për aktivitetet e politikës makroprudenciale, si dhe informimin e institucioneve në sistemin financiar. MAPAS do të monitorojë rreziqet sistematike në sigurimin pensional të financuar nga kapitali përmes treguesve të përcaktuar dhe do t’i publikojë ato rregullisht në faqen e vet të internetit.